Gazeta Sinjali raportoi dje për një tjetër rast tronditës të dhunimit të një vajze të mitur nga Suhareka që dyshohet se ka ndodhur së fundmi. Viktima 13-vjeçare, e cila u raportua e zhdukur dhe u gjet pas dy ditësh dyshohet se është keqtrajtuar seksualisht nga dy persona. Të dyshuarit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tyre është ushtruar kërkesa për masën e sigurisë.
Dy të ndaluarit Durak Daka dhe Planet Berisha po hetohen për veprën penale “Dhunimi” dhe shumë shpejtë pritet të dalin para gjykatës.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti – Sejrani, e cila tha ndaj të dyshuarve është bërë kërkesa për paraburgim.
“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë, dy (2) persona me inicialet D.D., dhe P.B., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Për dy (2) të dyshuarit prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Për shkak të ndjeshmërisë dhe konfidencialitetit të rastit, në këtë fazë nuk mund t’ju japim detaje tjera.” – thuhet në përgjigje.