Mbrëmjen e 12 tetorit të këtij viti, Policia e Kosovës gjatë një patrullimi kishte gjetur armë pa leje e drogë në veturën që ishte duke u vozitur nga djali i një prej njerëzve kryesorë të sigurisë në vend, Shpend Maxhunit.
Por kjo ngjarje ishte mbajtur e fshehtë për publikun nga Policia, për t’u publikuar vetëm kur një i afërm i familjes Maxhuni kishte shkuar për ta marrë përgjegjësinë për armën. Kryeprokurori i Shtetit është rreshtuar në anën e djalit të Shpend Maxhunit, ndërsa Inspektorati Policor që po zhvillon hetime, tani e ka rastin të tregojë se a është i paanshëm në këtë histori, shkruan Gazeta Express.
Më 12 tetor të këtij viti, Policia e Kosovës gjatë një kontrolli rutinor kishte ndaluar një veturë, brenda së cilës kishte gjetur armë pa leje e drogë. Vetura në fjalë është në pronësi të Enver Maxhunit, por që ishte duke u vozitur nga nipi i tij, që është djali i një prej njerëzve kryesorë të sigurisë në Kosovë, Shpend Maxhunit.
Rastin e skandalit të shefit të AKI-së me djalin e tij e ka konfirmuar edhe Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për Gazetën Express.
Por, më vonë Policia e Kosovës është kujdesur që përmes një komunikate dërguar mediave t’ia heq çdo njollë emrit të djalit të Shpend Maxhunit, Shpëtimit, ndaj të cilit është ngritur edhe një kallëzim penal i cili gjatë kësaj jave është dorëzuar për në Prokurori.
Por, në lidhje me rastin rastin po hetohen edhe disa policë që kanë kontrolluar në sistem të policisë.
Po ashtu Inspektorati bën me dije se rreth gjithë këtij procesi është ankuar edhe një qytetar, identitetin e të cilit IPK’ja nuk e ka bërë të ditur.
“Të premtën, në një përgjigje dhënë Gazetës Express, nga Inspektoriati Policor i Kosovës kanë deklaruar se pas pranimit të disa informacioneve nga Policia e Kosovës, ankesës së një qytetari dhe informatave që janë publikuar në media hetuesit e IPK-së kanë filluar grumbullimin dhe analizimin e këtyre informacioneve”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Tutje, nga ky institucion hetimor për zyrtarët policorë theksojnë se janë intervistuar disa zyrtarë policorë të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast.
“Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë edhe veprime hetimore paraprake dhe janë në fazën e grumbullimit dhe analizimit të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast si dhe kanë intervistuar disa zyrtarë që dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast”.
Ndryshe, Express, merr vesh se hetimi ndaj katër zyrtarëve policorë ka nisur ditën e hënë. Të njëjtëve u janë konfiskuar telefonat.
Më vonë IPK ka kërkuar nga Departamenti i IT-ve emrat e policëve që janë futur në sistem për të kontrolluar “historinë” e Shpëtim Maxhunit. Një tjetër pistë që është duke e hetuar Policia e Kosovës, sipas informatave të gazetës, janë kamerat brenda objektit.