Rasti dyshuar i shfrytëzimit seksual i të miturës, do të përcillet me protesta

Prishtinë | 06 Shk 2019 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Në lidhje me rastin e dyshuar për shfrytëzimin dhe keqtrajtimin e vajzës 16 vjeçare nga një zyrtar policor në Komunën e Drenasit, është organizuar edhe një protestë me moton: “PRO mësimit, JO përdhunimit”, në këtë komunë.

“Keqtrajtimi i kësaj të miture është sulm direkt ndaj të gjitha parimeve ligjore dhe morale, por mbi të gjitha, është mbjellje e frikës për të gjithë nxënësit aktual dhe gjeneratat e reja që do të vijnë. Prandaj, është koha tani ose kurrë që t’i dalim në mbrojtje viktimës dhe të sigurohemi që fajtorët të marrin dënimin e merituar. Kjo është e vetmja formë që shoqërisë sonë t’i kthehet besimi në institucionet tona”, thuhet në njoftimin e këshillit organizativ të protestës.  

Ky këshill kërkon që të bëhet zotim publik nga komandanti i Policisë në Drenas me 5 pika, ndërprerja e licencës së doktorit dhe mbyllja e klinikës ku është kryer aborti i paligjshëm, largimi i profesorit nga shkolla, mbikëqyrje më rigoroze nga drejtori i shkollës.

Në lidhje me të gjitha këto kërkesa, shoqëria civile do të fillojë marshimin nga gjimnazi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për të vazhduar deri tek Stacioni Policor në Drenas.

Protesta mbahet me datën 8 shkurt me fillim nga ora 12:00.

Të ngjashme