Rasti Kumanova përfundimisht arrin në Gjykatën e Apelit

Prishtinë | 18 Sht 2018 | 13:23 | Nga

7 muaj pas dorëzimit të ankesës për vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit për rastin “Lagjja e Trimave – Kumanova”, lënda ka arritur në Gjykatën e Apelit, e cila duhet të mbajë seancë publike për shqyrtimin e ankesave të të dënuarve.

“Lënda është dërguar në Gjykatën e Apelit, ata duhet që të vendosin për procedurën e mëtutjeshme”, thonë për Portalb.mk, nga Gjykata Penale.

Portalb.mk ka tentuar që të kontaktojë me Gjykatën e Apelit, por nuk kanë qenë të kapshëm.

Avokatët e të dënuarve, Mefail Arsllani dhe Naser Raufi, konfirmojnë për Portalb.mk, se deri tek ata ende nuk ka arritur asnjë informata nga Gjykata e Apelit.

Pala mbrojtëse ka dorëzuar ankesë pasi që nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës Penale dhe sipas tyre, të njëjtën e bazojnë në dëshmi materiale dhe verbale.

“Këto ankesa i bazojmë në dëshmi të fuqishme materiale dhe verbale. Besoj në profesionalizmin e Gjykatës së Apelit dhe konkretisht mendoj se do të vërtetohet se në këtë rast nuk është vërtetuar gjendja faktike. Me këtë aktakuzë që dënohen këta djem, nuk është caktuar motivi, nuk ka elemente për terrorizëm dhe organizatë terroriste. Besoj që Gjykata e Apelit do t’i merr parasysh të gjitha lëshimet që i ka bërë Gjykata Themelore dhe kërkesat tona do të pranohen. Kur del e vërteta, gjithçka do të ndryshojë. Gjithçka ka qenë e monitoruar dhe e harruar nga dikush dhe duhet të del në pah kush është përgjegjës”, ka thënë avokati Arsllani më 15 shkurt të këtij viti, pasi dorëzoi ankesën.

Ndryshe, më 2 nëntor të vitit 2017-të u dha vendimi gjyqësor për rastin “Kumanova” me të cilin grupi që luftoi me forcat e sigurisë së Maqedonisë më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Lagjen e Trimave të Kumanovës, u dënua me 7 shekuj e gjysmë burg dhe 7 dënime me burgim të përjetshëm.

Pas këtij vendimi të Gjykatës Penale kishte edhe protesta të shumta në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe diasporë.

Në ndërkohë, u formua dhe Komision Anketues për rastin “Lagjja e Trimave”, por i njëjti ende nuk ka mbajtur asnjë seancë apo mbledhje pune. Sipas ekepertëve juridik që komisioni anketues për rastin “Kumanova” të ketë efekt duhet të kemi reformim të tërësishëm të gjyqësorit, veçanërisht të Këshillit Republikan dhe Këshillit të Prokurorëve Publik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme