Prokurorja Drita Hajdari dhe kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, janë përfshirë në një diskutim të nxehtë në seancën e së premtes në gjykimin e rastit të njohur si “Pronto”, në të cilin akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët.
Ata akuzohen për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti njoftoi se kishte aprovuar pjesërisht kërkesën e avokatit, Besnik Berisha për dëgjimin e dëshmitarëve Sejdi Hoxha dhe Hasan Ibraj, prokurorja Speciale Drita Hajdari e ka kundërshtuar fuqishëm këtë vendim të gjykatës.
Ajo tha se kishte dhënë me shkrim edhe arsyet e këtij kundërshtimi, pasi sipas saj, këta dëshmitarë nuk do të mund të vërtetonin asgjë, e as nuk do të mund të ndikonin në zbardhjen e këtij rasti.
Pasi në seancën e kaluar të gjitha provat e propozuara nga ajo duke përfshirë edhe CD-ja e incizimeve që inkriminojnë të akuzuarit, ishin konsideruar të lexuara, reagoi prokurorja Hajdari pasi sipas saj, ishin duke humbur kohë në dëgjimin e një dëshmitari, i cili nuk dëshmon asnjë përpos procedurave.
“Një orë jemi tu dëgju për kurgjo hiq, për procedura, po hupni kohë me një dëshmitar që nuk ka dëshmuar asgjë e një të njëjtën anë keni kursyer kohë kur është dashur të administrohen provat e prokurorisë”, ka thënë prokurorja Hajdari.
Mirëpo, gjykatësi Hoti ia rikujtoi prokurores Hajdari se vendimi kishte qenë i trupit gjykues, dhe se të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Unë i kam trajtuar të gjitha palët në mënyrë të barabartë, është vendim i trupit gjykues, sa i përket dëshmitarëve dhe provave tjera ju kemi dhënë mundësi ligjore, ju keni propozuar me u lexu ligjet që unë jam i obliguar me i pas përpara. Ligji nuk është provë në procedurë, ka qenë interesi i palës mbrojtësve dhe ne duhemi me reskeptu se është palë në procedurë”, ishte përgjigja e gjykatësit Hoti.
Ndërkohë, në dëshminë e tij, Sejdi Hoxha ka mohuar që në kohën sa ai ka qenë kryesues i bordit të drejtorëve në “Infrakos”, të ketë pasur emërime politike.
Gjithashtu, ka mohuar që Adem Grabovci dhe Besim Beqaj, të kenë ndikuar në lidhur me ndonjë me emërtimet në këtë ndërmarrje.
Duke folur për kohën sa ai ka qenë kryesues i bordit të drejtorëve në “Infrakos”, ai ka thënë se me Besim Beqajn ka bashkëpunuar në kohën sa ai ka qenë ministër i Zhvillimit Ekonomik.
Hoxha ka thënë se asnjëherë nuk kishte kontaktuar as me Adem Grabovcin, apo me ish-ministrin Beqaj, qoftë direkt apo indirekt në lidhje me përzgjedhjen e pozitës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje.
Avokati i Besim Beqajt, ia ka lexuar atij disa transkripte të bisedës ndërmjet Grabovcit dhe Beqajt. “Me 09.12.2011 Adem Grabovci dhe Beqaj kanë bashkëpunuar për rishpalljen e konkursit për drejtorë të ndërmarrjeve publike ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’, me ç’rast Beqaj i thotë Grabovcit “a ti them atyre dyve, dytë t’i rishpallin ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’, pastaj Grabovci pretendohet se i është përgjigjur “Sejdes i thash po edhe atij tjetrit thuj”, Beqaj ishte përgjigjur “dytë t’i rishpallim e pastaj të shohim”, Grabovci “okej masi të shpallet ky tjetri tani i shpallim dytë”, ka lexuar një pjesë të këtij transkripti avokati Berisha.
Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se asnjëri nga ta nuk e kishin kontaktuar personalisht, direkt ose indirekt për shpalljen, anulimin, rishpalljen, e çfarëdo konkursi që lidhet në këtë ndërmarrje për këtë periudhë kohore.
“Asnjëri e as tjetri në asnjë moment nuk më kanë kontaktuar dhe nuk më kanë kërkuar rishpallje, anulim apo rishpallje të ndonjë konkursi”, ka thënë ai
Ai ka thënë se në asnjë mënyrë ish-ministri Beqaj, nuk ka pasur asnjë lloj interferimi në lidhje me kryeshefin ekzekutiv të “Infrokos”-it.
Ai ka thënë se në këtë pozitë është zgjidhur me konkurs publik, një proces që udhëhiqet nga zyra e kryeministrit. “Nga sekretari i përgjithshëm i qeverisë formohet një komision profesional, na bazë të praktikave ka qenë i përbërë nga sekretarët permanent të ministrive të ndryshme si dhe ekspert të fushave të ndryshme, profesor universitar, dhe përmes procesit të intervistimit ka dalë lista e ngushtë e kandidatëve e cila i është propozuar Qeverisë, pastaj vendimin final për zgjedhjen e Bordeve të ndërmarrjeve publike e ka marrë kryeministri i vendit”, ka thënë Hoxha.
Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Besnik Berisha, nëse ka pasur edhe ndonjë strukturë tjetër në këtë ndërmarrje që ka mbajtur titullin drejtor që është marrë me ndërmarrjen, dëshmitari Hoxha ka thënë se në bazë të ligjit mbi ndërmarrjet publike anëtari i Bordit të Drejtorëve sipas detyrës zyrtare është edhe pozita e kryeshefit ekzekutiv.
“Bordi i Drejtorëve të ndërmarrjes ka marrë vendim në një prej mbledhjet e caktuara që të hap konkursin publik për zgjedhjen e pozitës së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes, pastaj pas përfundimit të afatit ligjor të konkurrencës së kandidatëve dhe pas vlerësimit të secilit kandidat nga secili anëtar i Bordit ka ardhur deri te përzgjedhja e kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes. Kriteret janë të përcaktuara qartë me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Bordi kur ka shpallur konkursin me rekomandim edhe të administratës së ndërmarrjes ka vendosur kriteret ligjore të cilat i parasheh Ligji për Ndërmarrjet Publike”, ka thënë ai.
Ai ka mohuar që kriter shtesë të ketë qenë përkatësia partiake.
Hoxha ka thënë se ka pasur edhe persona të tjerë që kanë konkurruar për këtë pozitë, duke shtuar se sa i kujtohet kanë qenë mbi tre persona.
Ai ka thënë se nuk e din përkatësinë politike të konkurrentëve tjerë për atë pozitë.
“A është finalizuar zgjedhja e kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje në vitin 2011”, ka qenë pyetja e radhës e avokatit Berisha.
“Realisht po është vazhduar procedura e përzgjedhjes së kryeshefit dhe pas procesit të intervisitimi brenda afateve kohore të parapara me ligj është zgjedh kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes”, është përgjigjur Hoxha.
Avokati Berisha ka kërkuar të dijë nga ai, nëse ka pasur në fund vit, pas 9 dhjetorit 2011, anulim të konkursit për këtë pozitë, por dëshmitari ka mohuar një gjë të tillë.
Duke u përgjigjur nëse ka pasur ankesa lidhur me këtë proces, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet një gjë e tillë.
“Kur është zgjedhur kryeshefi ekzekutiv ka pasur vlerësim individual të secilit anëtar të Bordit të Drejtorëve, Bordi i Drejtorëve ka kompetencë të plotë ligjore për përzgjedhjen e pozitës së kryeshefit ekzekutiv, dhe nuk më kujtohet nëse ka pasur ankesë sepse ka kaluar kohë e gjatë, ankesa e parë është Bordi i Drejtorëve dhe me siguri ankesa e dytë janë organet gjyqësore”, ka thënë ai.
Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).
Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.
Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.
Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.
Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.
Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.
Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.
Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.
Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura.