Gjatë këtij viti Qeveria e Kosovës nuk planifikon që ta procedojë në Kuvend ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Kjo, bazuar në Programin legjislativ për 2017-n, shkruan sot Koha Ditore.
Dokumenti përmban të listuara 79 projektligje që duhet hartuar gjatë vitit nga ekzekutivi. Marrëveshjet ndërkombëtare, sikur është ajo për demarkacionin, ratifikohen nëpërmjet ligjit me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.
Dhe, të tilla janë disa të përfshira në Programin legjislativ, por jo edhe kjo për kufirin me Malin e Zi, të cilën prej më shumë se një viti e kanë kundërshtuar opozita dhe një pjesë e deputetëve të subjekteve në pushtet.
Midis ligjeve me rëndësi që janë paraparë t’i sponsorizohen Kuvendit është edhe ai për kryeqytetin, i cili prej vitesh është përfshirë në agjendat legjislative të ekzekutivit, por që nuk është miratuar deri tash.