Profesori Avni Mazreku, në Info Magazine të Klan Kosovës, ka thënë se duhet që zyrtarët e shtetit të bisedojnë me shtetet që janë skeptike për liberalizimin e vizave, që të mos kemi probleme, nëse demarkacioni me Malin e Zi ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka deklaruar se është e vërtetë që kërkesa për ratifikim të demarkacionit është e padrejtë, por meqë është vendosur si kusht, duhet kryer, në mënyrë që procesi i liberalizimit të vizave të zhbllokohet.
“Ose ka deficit ekstrem të njohjes se si merren vendimet në BE, ose ka deficit të vullnetit politik, që e pengon krejt procesin. Unë nuk e kam parë në esencë agjendën e kryeministrit, nëse ai do të ketë ndonjë takim konkrent për vizat. Komisioni Europian deri tani nuk ka thënë asgjë të re, por ka qenë konsistent. Kërkesa për demarkacionin është e padrejtë, por Kosova ka raport të zhdrejtë me Unionin. Të gjitha kushtet që i vendosen Kosovës janë anakronike. Megjithatë, e përsëris, se ata që e kanë të qartë si merren vendimet në Bashkimin Europian, e dinë se nuk negociohen cështjet në këtë mëmyrë. Zyrtarët e lartë të BE-së nuk kanë thënë se nëse ratifikohet demarkacioni do t’i marrim vizat, por se do të ketë zhbllokim të procesit”.
“Liberalizimi i vizave kërkon votën ‘për’ të 55 për qind të shteteve anëtare të Unionit, që përbëjnë 65 për qind të popullsisë. Nëse shtetet që nuk na kanë njohur duan, mund ta përdorin pakicën bllokuese, me 35 për qind të popullsisë. Ndaj mendoj që duhet të bisedohet me shtetet që janë skeptike për këtë proces, që të mos kemi probleme në proces.