Reagimet e liderëve botërorë ndaj skenave “të tmerrshme” në Washington

Prishtinë | 07 Jan 2021 | 09:16 | Nga Ekonomia Online

Udhëheqësit botërorë kanë dënuar skenat e dhunshme në Uashington, ku protestuesit që mbështesnin presidentin e ShBA-së, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit.

Siç edhe tashmë dihet, veprimi detyroi pezullimin e një seance të përbashkët të Kongresit për të vërtetuar fitoren elektorale të Joe Biden.

Kështu, sipas BBC, përcjell Telegrafi, shumë udhëheqës bënë thirrje për paqe dhe një tranzicion të rregullt të pushtetit, duke përshkruar atë që ndodhi si “të tmerrshme” dhe një “sulm ndaj demokracisë”.

Kryeministri britanik Boris Johnson dënoi “skenat e turpshme”.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë as demokracisë në të gjithë botën dhe tani është jetësore që të ketë një transferim të qetë dhe të rregullt të pushtetit”, shkroi ai në Twitter.

Politikanët e tjerë të Mbretërisë së Bashkuar u bashkuan me të në kritikat e dhunës, me udhëheqësin e opozitës Sir Keir Starmer duke e quajtur atë një “sulm të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë”.

Ndërkohë kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha: “Unë kam besim në forcën e demokracisë amerikane. Presidenca e re e Joe Biden do të kapërcejë këtë fazë të tensionuar, duke bashkuar popullin amerikan”.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian dënoi “sulmin e rëndë kundër demokracisë”, ndërsa homologu i tij gjerman, Heiko Maas, tha se z. Trump dhe mbështetësit e tij “duhet të pranojnë më në fund vendimin e votuesve amerikanë dhe të ndalojnë shkeljen e demokracisë”.

Veç këtyre, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se ai kishte besim në SHBA-në “për të siguruar një transferim paqësor të pushtetit” tek z. Biden, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se ajo pret të punojë me Demokratin.

Një reagim ka ardhur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili u bashkua me ata që thanë se rezultati i zgjedhjeve “duhet të respektohet”.

Në anën tjetër kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se kanadezët ishin “thellësisht të shqetësuar dhe të trishtuar nga sulmi ndaj demokracisë”.

“Dhuna kurrë nuk do të ketë sukses në mposhtjen e vullnetit të njerëzve. Demokracia në SHBA duhet të mbështetet – dhe do të ndodhë”, shkroi ai në Twitter.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme