Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka aluduar se rritja e pages minimale në 250 euro nga ana e ekzekutivit është më e larta në historinë e nomenklaturave qeverisëse.
Kryeziu, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, ka thënë se qe 11 vite paga minimale është rritur për 50 euro, shkruan lajmi.net.
“Për opozitën që po kërkon rritje të pagës minimale deri në 400 euro, ua rikujtojmë se herën e fundit kur paga minimale është rritur ajo është rritur për 10 euro, përkatësisht 50 Euro. Nga 120 Euro siç ishte vendosur në vitin 2005 në 130 dhe 170 Euro në 2011”, ka shkruar ai.
“Që atëherë e gjithë opozita e sotme, të gjitha me radhë, herë njëra e herë tjera, e besa herë të gjitha bashkë, kanë qenë në qeverisje. Por për 11 vjet, paga minimale mbeti e njejta”, ka thënë më tej Kryeziu.
“Sot, po u duket e pamjaftueshme rritja e synuar në 264 euro – që është rritje prej 134 euro dhe 94 euro. Edhe një herë Qeveria Kurti po bën më shumë për qytetarët për një vit se çka kanë bërë të gjitha bashkë për më shumë se një dekadë”, përfundon postimi i tij.