Reagon AGK pas deklaratave për “çanta me pare”: Të ofrohen fakte dhe emra, shqetësuese fushata e VV-së ndaj mediave

TV cameras in raw
Prishtinë | 23 Mar 2026 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim për një valë të re të fushatës kundër mediave dhe gazetarëve të nisur nga zyrtarë të partisë më të madhe politike në vend, Vetëvendosje.

AGK iu referua deklaratave nga deputetë dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie, përfshirë Adnan Rrustemin, Mefail Bajqinovcin dhe Dejona Mihalin, të cilët, siç thuhet, “kanë shkruar dhe shpërndarë materiale që flasin për ‘pagesa me çanta’ në raport me gazetarët”.

“Fushata të tilla denigruese nga njerëz të partisë në pushtet janë vazhdimësi e një politike armiqësore të Vetëvendosjes dhe Qeverisë Kurti ndaj mediave në Kosovë, dhe që cenojnë seriozisht lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Kjo e ditëve të fundit vjen si reagim ndaj deklaratave në një emision televiziv, prodhim i BIRN Kosova ku flitet për atë se si “narrativa dezinformuese për Banjskën u shpërnda edhe në studio të televizioneve kosovare?” dhe “kemi operacion ku paret me çanta të strukturave të BIA-s, janë nxanë në veri të Mitrovicës duke iu dorëzuar agjentit shqiptar, i cili më pas ka pasë mi çu te ni gazetar””, thuhet tutje në reagim.

AGK-ja konsideron se deklarata të tilla përgjithësuese ndaj “mediave online” dhe “studiove televizive” janë të papërgjegjshme.

“Deklaratat akuzuese publike duhet të përcillen me fakte, prova dhe emra të përveçëm. AGK-ja i fton të gjitha palët që të përmbahen nga deklarata të tilla që minojnë seriozisht ambientin e zhvillimit medial”, thuhet në reagim.

Të ngjashme