Rafael Benitez këmbëngul se asnjëherë nuk ishte përpjekur ta mësonte Cristiano Ronaldon sesi t’i godiste gjuajtjet e lira gjatë kohës së tyre në Real Madrid.
Benitez ishte trajner i Realit për shtatë muaj fatkeq nga qershori 2015 deri në janar 2016, para se të shkarkohej dhe të zëvendësohej me Zinedine Zidane.
Ish-trajneri i Liverpoolit dështoi ta fitojë dashurinë e tifozëve dhe kishte vështirësi të krijonte marrëdhënie të mira me yjet e ekipit të parë të madrilenëve, veçanërisht me Ronaldon, i cili tani e vazhdon karrierën e tij të bujshme në Itali me Juventusin.
Së fundmi u raportua se Benitez e kishte nxitur yllin portugez të shikonte pamje nga paraqitjet e veta në të kaluarën, në mënyrë që të përmirësohej, dhe madje e kishte udhëzuar sesi ta godiste topin nga gjuajtjet e lira.
Megjithatë, Benitez, tani trajner i klubit nga Superliga kineze, Dalian Tyifang, i ka hedhur poshtë këto lajme, duke i quajtur gënjeshtra.
“Është gënjeshtër. Në asnjë kohë nuk i kam treguar sesi t’i gjuajë goditjet e dënimit”, tha Benitez për Marca.
“Unë vetëm i pata treguar atij se ne, bashkë me trajnerin e portierëve, i kishim analizuar goditjet e lira që ai i gjuante në Manchester United dhe trajektorja që merrte topi. Ideja jonë në atë kohë, si trajner i Liverpoolit, ishte të tentonim t’i bllokonim goditjet e tij. Kjo është e gjitha. Asnjëherë, si trajneri i Madridit, nuk i kam treguar CR7 sesi t’i godasë gjuajtjet e lira”, shpjegoi ai./GE