Këshilltari i shkarkuar i ministrit të Drejtësisë, Enis Qerka, ka reaguar pas raportimit në media se ai ishte akuzuar për trafikim me drogë.
Qerka ka thënë se po i bëhet gjykim publik për akuzat që, siç ka thënë ai, drejtësia e ka shpallur të pafajshëm.
“Gjykim publik. E tmerrshme se si u sulën me akuza e gjykime mediat e individë të partive politike ndaj meje për një rast për të cilin të gjithë janë në dijeni se nuk kam qenë i përfshirë dhe ka një vendim te drejtësisë. E frikshme kur edhe në rastet kur organi i drejtësisë e dëshmon pafajësinë, mediat e njerëz te papërgjegjshëm në ketë vend ta bëjnë gjykimin publik”, ka shkruar në reagimin e tij Qerka.
Ai ka paralajmëruar se secilin rast do ta ndjekë përmes rrugëve ligjore.
“Secilin tast do ta ndjek në rrugë ligjore. Unë, familja ime dhe të gjithë e dinë se nga dita e parë ky rast është shfrytëzuar me tendencë për hesape politike”, shkruan Qerka në “Facebook”.
Ai ka publikuar edhe aktvendimin e prokurorisë për pushim të hetimeve.