Reagon kryeshefi i QKMF-së: Vetëm dje janë administruar 325 infunzione intravenoze për pacientët me COVID-19

Prishtinë | 10 Mar 2021 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sami Uka, ka reaguar pas raportimeve se pacientët po presin në rend për të marrë një shërbim shëndetësorë, raporton Gazeta Express.

Uka ka thënë se dje në QMF’në 7 në Emshir brenda 16 orësh janë administruar 325 infuzione intravenoze për qytetarët e Prishtinës të sëmurë me COVID-19.

Sipas tij, kjo i bie që secila nga gjashtë infermieret e angazhuara në ndërrim, ka administruar hiq më pak se 27 infuzione.

Uka ka thënë se gjithë kjo barrë e punës, pos stërlodhjes së natyrshme, mund të prodhojë edhe gabime, prandaj edhe shqyrtohet gjatë nevoja për këtë trajtim.

“Në tërë botën, është mirë i njohur rreziku i konsiderueshëm nga lëndimin dhe vdekja e pacientit e ndërlidhur me barnat IV.  Prandaj, edhe hezitohet dhe shqyrtohet gjatë dhe gjithanshëm nevoja për trajtim IV. Prandaj, në studime një Profesor i nderuar shpesh na përsëriste se ‘infuzioni/terapia IV u jepet ekskluzivisht pacientëve që nuk qëndrojnë në këmbët e tyre dhe nuk ushqehen dot përmes gojës”, ka shtuar ai.

Shkrimi i plotë:

Pak mirëkuptim …

Dje në QMF 7 Emshir, brenda 16 orësh janë administruar 325 (168 paradite dhe 157 pasdite) infuzione intravenoze për qytetarët e Prishtinës të sëmurë me Covid 19. Kjo i bie që secila nga gjashtë infermieret e angazhuara në ndërrim, ka administruar hiq më pak se 27 infuzione. Gjithë kjo barrë e punës, pos stërlodhjes së natyrshme, mund të prodhojë edhe gabime.

Gabimet që mund të ndodhin gjatë administrimit të terapisë intravenoze mund të ndodhin në të gjitha fazat e këtij procesi dhe mund të jenë veçmas të rrezikshme për barna me veçori të caktuara dhe ndërlikueshmëri të veprimit të tyre terapeutik.

Në tërë botën, është mirë i njohur rreziku i konsiderueshëm nga lëndimin dhe vdekja e pacientit e ndërlidhur me barnat IV. 

Prandaj, edhe hezitohet dhe shqyrtohet gjatë dhe gjithanshëm nevoja për trajtim IV. Prandaj, në studime një Profesor i nderuar shpesh na përsëriste se ‘infuzioni/terapia IV u jepet ekskluzivisht pacientëve që nuk qëndrojnë në këmbët e tyre dhe nuk ushqehen dot përmes gojës!’  

Sot kur kjo terapi është ‘trendi’ dhe po shkon si ‘hallveja’ gabimet e tilla janë shumë më të lehta, por edhe më të shpeshta në rrethanat dhe kushtet tona pandemike kur terapia IV:

1. përshkruhet sipas një shablloni të përvetësuar, por aspak të mbështetur në mjekësin e bazuar në dëshmi dhe as përvojë të mjaftueshme klinike;

2. administrohet në kushte të improvizuara të Kujdesit Parësor Shëndetësor, që nuk është më i përshtatshmi për administrimin e kësaj terapie;

3. administrohet nën presionin e vazhdueshëm të pacientëve dhe sidomos familjarëve, që kanë njohuri të shkëlqyeshme mjekësore nga ‘Google klinika’ dhe nuk hezitojnë t’i mësojnë infermieret dhe mjekët për mënyrën e administrimit dhe modifikimet e nevojshme të terapis;

Për ilustrim, një studim i Asociacionit Amerikan të Infermierisë mbi gabimet mjekësore me terapi injektabile ka raportuar që 99% të infermiereve (n = 1,039) besonin që rreziku për pacientin është serioz në rast të gabimit dhe se gati gjysma e gabimeve (48%) më së tepërmi ka gjasa të ndodhin gjatë përgatitjes dhe administrimit të barnave IV.

Kur këtyre streseve të përditshme iu shtohet edhe presioni kërcënues nga ‘kontributi’ i portaleve që gjurmojnë me qiri lajmin e keq dhe gabimet tona, duke kujdestaruar me celularë të ndezur, si në ‘lajmin’ nga fotoja e bashkangjitur mund të merret me mend presioni i tmerrshëm nën të cilin jemi duke punuar.

Prandaj, ju lutemi na lini të bëjmë punën tonë siç dimë dhe mundemi më së miri! Nëse këshillat tona për kujdes dhe parandalim të infektimit me COVID 19, i shpërfillët dhe përqeshët në vazhdimësi, të paktën na lini që mjekimin Tuaj ta bëjmë në qetësi ose kërkojeni tek ekspertët që e shpallën të paqenë dhe konspiracion pandemin dhe ju i besuat.

Dhe mos harroni: tek mjeku pritet në radhë sepse secili prej jush ka kohën dhe dhembjen e vet. Pritet në radhë njësoj sikur në Qendrat tregtare apo kafehanet ku pritni me orë t’iu lirohet një ulëse për t’u tymosur. Pritet njësoj, por shumë më pak, sesa në institucionet shëndetësore kudo në botë dhe më pak sesa në klinikat private.

Prandaj, nuk iu kërkojmë mirënjohje por vetëm mirëkuptim!

P.S.

Sa për lajmin nga portali i ‘famshëm’ nuk ia vlen dhe nuk kemi kohë të merremi me lajme të tilla të stisura dhe tendencioze.

Të ngjashme