Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e konsideron ndërhyrje të pushtetit shkarkimin e Naser Sahitit nga pozita e rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”, raporton Ekonomia Online.
LDK thotë se këtij akti të papranueshëm e të dëmshëm për arsimin i ka paraprirë kapja e Këshillit Drejtues të UP-së nga partia në pushtet përmes përzgjedhjes së kandidatëve me kriter partiak-klientelist e me integritet të kontestuar.
“Nën ndikimin e partisë në pushtet, Këshilli Drejtues i Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina” e shkarkoi sot rektorin i këtij universiteti, Prof. dr. Naser Sahitin. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është ndërhyrje e papranueshme e politikës në institucionet arsimore. Këtij akti të papranueshëm e të dëmshëm për arsimin i ka paraprirë kapja e Këshillit Drejtues të UP-së nga partia në pushtet përmes përzgjedhjes së kandidatëve me kriter partiak-klientelist e me integritet të kontestuar”, thuhet në komunikatë.
Partia opozitare shton më tej se Këshilli Drejtues i UP-së “ekzekutoi sot sheshazi kërkesën politike të Qeverisë për të instaluar rektor të dëgjueshëm të pushtetit në UP”.
“Efektet e ushtrimit të ndikimit dhe të kontrollit nga pushteti në arsimin e lartë dëmtojnë rëndë cilësinë dhe funksionimin institucional. Dija, hulumtimi shkencor dhe studimi në universitet janë jetike për zhvillimin e arsimit, ndaj çdo ndërhyrje politike në këtë institucion të rëndësishëm është i pafalshëm”, thuhet tutje në këtë komunikatë.
Në fund, LDK-ja vlerëson se respektimi i autonomisë së universitetit është kusht për të siguruar integritetin dhe cilësinë e arsimit të lartë.