Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar pas kritikave ndaj qëndrimit të deputetëve të saj lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar vendosjen e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe si përpjekje për linçim publik dhe kërcënim politik.
“Vendosja e emrave të deputetëve të LDK-së në një rresht me deputetët e Listës Serbe, për shkak të qëndrimit tonë parimor, logjik e shtetar, është përpjekje e ulët për linçim publik dhe kërcënim politik”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Nga kjo parti kanë deklaruar se nuk do të pranojnë presion apo shantazh për ndryshimin e qëndrimeve të tyre.
“Mesazhi ynë është i qartë, LDK nuk shantazhohet. As me etiketime, as me kërcënime, as me përpjekje të tilla”, thuhet në reagim.
LDK ka arsyetuar qëndrimin e saj duke thënë se nuk dëshiron të mbështesë iniciativa që, sipas saj, nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve.
“Qëndrimi ynë buron nga përgjegjësia ndaj Kosovës. Ne nuk e mashtrojmë popullin me iniciativa që nuk prodhojnë efektin juridik që u premtohet qytetarëve. Nuk ushqejmë shpresa të rreme dhe nuk i përdorim dhimbjen e ndjenjat e njerëzve për përfitime politike. Çështje kaq të ndjeshme kërkojnë seriozitet juridik dhe koordinim me aleatët tanë”, ka deklaruar LDK.
Në reagim, kjo parti ka theksuar edhe identitetin e saj politik dhe historik, duke përmendur figurën e Ibrahim Rugovës, si dhe viktimat dhe familjet që, sipas saj, ende presin drejtësi.
“Po aq qartë, LDK nuk e braktis identitetin e vet ekzistencial. Jemi partia e Ibrahim Rugovës, e lirisë, e pavarësisë dhe e orientimit perëndimor të Kosovës. Jemi edhe partia e veprimtarëve të vrarë, familjet e të cilëve ende presin drejtësi. Askush nuk mund të na kërkojë ta harrojmë këtë pjesë të historisë sonë, aq më pak të na kërcënojë pse kërkojmë drejtësi”, thuhet në reagim.
LDK ka thënë se e konsideron luftën e UÇK-së të shenjtë, ndërsa kërkimin e drejtësisë për viktimat e ka cilësuar detyrim të patjetërsueshëm.
“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Kërkimi i drejtësisë për viktimat është detyrim i patjetërsueshëm. Kosova duhet t’i mbrojë të dyja, me të vërtetën, me shtetin dhe me përgjegjësi”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kjo parti ka përsëritur se qëndrimi i saj nuk mund të përcaktohet përmes shantazhit apo kërcënimeve.
“LDK-së nuk i caktohet qëndrimi me shantazh. Dhe nuk i merret identiteti me kërcënim”, thekson LDK.
LDK u ka bërë thirrje partive politike dhe udhëheqësve të tyre që të tregojnë përgjegjësi dhe të ndalin, siç thotë, gjuhën e linçimit.
“U bëjmë thirrje të gjitha partive politike dhe udhëheqësve të tyre të tregojnë përgjegjësi dhe të kërkojnë përgjegjësi nga përfaqësuesit e përkrahësit e tyre. Të ndalin gjuhën e linçimit dhe të mos e kthejnë këtë çështje në betejë kundër njëri-tjetrit. Dallimet për rrugën që duhet ndjekur nuk na bëjnë armiq. Kosova ka nevojë për maturi dhe bashkëpunim; nxitja e urrejtjes mes nesh vetëm e dobëson atë”, përfundon reagimi.