Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj shkrimeve që janë bërë ditëve të fundit në rrjetet sociale kundër MAShT .
“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ditëve të fundit është kthyer në një arenë sulmesh, shantazhesh, presionesh e çka jo tjetër nga katalizatorë të së keqes e dezinformimit. E gjitha kjo, si rrjedhë e guximit dhe vendosmërisë së ministrit Bytyqi për të bërë reforma të domosdoshme. Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve dashakeqe nga individë e grupe të caktuara interesi, MAShT asnjëherë nuk do të bie pre e sulmeve të tilla, por do të vazhdojë me reformat e nisura, duke ia lënë organeve të drejtësisë të merren me pjesën tjetër”, shkruhet në njoftim.
MAShT ka shkruar se në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve askush nuk ka nevojë të përdorë linja joformale për të ardhur te cilido dokument sepse MAShT është e hapur dhe nuk ka dokument që mund ta ndalë dikush për mediat.
“Ka disa javë që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është gjendur në fokus të një goditjeje nga një faqe fantome në rrjetin social Facebook, me emrin “Arsimi në Kosovë”, që është përpjekur të mbajë gjallë këtë gjendje. Fillimisht na është dukur reagim i ndonjë të frustruari të prekur nga reforma në MAShT, por, kohëve të fundit ka agravuar në një rrjedhë të themi përtej investigimit, madje filloi të bëhet goditëse e denigruese, me disa goditje që nuk i shkojnë të vërtetës. Faqja nuk është më, por krijuesit e saj po, madje duke u marrë me organet e drejtësisë, jo vetëm për këtë rast, por, edhe për vepra tjera penale, duke ndërhyrë në llogaritë bankare për të sponsorizuar trillime të tilla dhe ky është krim!”, shkruhet në komunikatë.
MAShT ka shkruar se pjesë e kësaj janë bërë edhe disa gazetarë e medie.
“Tani e panë të gjithë se vendosmëria jonë politike dhe institucionale është e pathyeshme dhe reforma e filluar po jep frytet e para, duke mos lënë anash frustrimet, dhimbjet me të cilat përcillet çdo reformë, këtu e kudo në botë, të cilat edhe ne i mirëkuptojmë, por synimi për një të ardhme më të mirë për rinjtë tanë është mbi të gjitha”, përfundon komunikata.