Reagon Memli Krasniqi: Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë

| 06 Dhj 2024 | 22:03 | Nga

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas njoftimit nga Zyra e Prokurorit Special, se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë.

Krasniqi ka theksuar se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. “Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri”.

Nëpërmes një postimi në Facebook, kreu i PDK-së ka apeluar që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! “Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

DEKLARATA E PLOTË E MEMLI KRASNIQIT:

Njoftimi i fundit nga Zyra e Prokurorit Special, se Presidentit Hashim Thaçi i është shtuar edhe një aktakuzë për pengim të drejtësisë, ndërsa ai tashmë ka katër vite që ndodhet në paraburgim, ngre shqetësime lidhur me qasjen dhe fokusin e këtyre procedurave gjyqësore.

Këto shqetësime thellohen më tej nga arrestimi i tri personaliteteve të tjera, si dhe nga fletëthirrja për paraqitje para Dhomave të Specializuara për z. Hajredin Kuçi.

Ne mbështesim fuqishëm parimet e drejtësisë dhe llogaridhënies, por një pyetje e thjeshtë dhe kritike ngrihet sonte: A po reflekton ky proces drejtësie paanshmërinë dhe profesionalizmin që Kosova, qytetarët e saj dhe çlirimtarët tanë në Hagë e meritojnë?

Të gjithë e dijmë se lufta çlirimtare e popullit tonë ishte e drejtë, fisnike dhe e rrënjosur në të drejtën universale për liri dhe dinjitet. Çdo përpjekje për t’i dhënë tjetër kahje kësaj të vërtete, rrezikon të minojë jo vetëm legjitimitetin e drejtësisë, por edhe të cenojë trashëgiminë e një lufte të shenjtë për liri.

Ne apelojmë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me përgjegjësi maksimale! Vendimet e tyre duhet të mbështeten vetëm në fakte dhe parime ligjore. Drejtësia nuk duhet, asnjëherë, të përdoret si mjet për të rishkruar historinë apo për të kontestuar sakrificat e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.

Kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, derisa qëndrojmë fuqishëm kundër çdo veprimi që cenon këtë parim themelor dhe të paprekshëm për secilin qytetar të Kosovës.

Të ngjashme