Sqarim i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë lidhur me numrin e regjistrimit dhe shuarjes së bizneseve në Kosovë
Duke marrë shkas shkrimet e publikuara së fundmi në disa media të shkruara dhe elektronike ku pasqyrohet në mënyrë të pasaktë dhe tejet sipërfaqësore trendi i regjistrimit dhe i shuarjes së bizneseve në Kosovë, MTI, përkatësisht, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) informon publikun me të dhënat e fundit lidhur me regjistrimin dhe shuarjen e bizneseve në vendin tonë.
Ky është sqarimi i plotë i MTI-së:
Arsyeja e këtij sqarimi është që të dëshmohet me fakte dhe referenca e kundërta e asaj që është pasqyruar në këto shkrime në të cilat potencohet me apo pa qëllim kryesisht numri i bizneseve të shuara, i cili numër, në fakt, është dukshëm më i vogël se numri i kompanive të regjistruara në ARBK.
Në bazë të analizave statistikore të bëra nga ARBK, shihet qartë se trendi i shuarjes së bizneseve në vitin që lamë pas është në parametra krejtësisht pozitiv dhe me një shkallë mjaft optimale të rritjes. Gjatë kësaj periudhe, për shkak të përmirësimit të mjedisit afarist, ka pasur rritje të numrit të bizneseve të regjistruara dhe që është në suaza proporcionale me numrin e bizneseve të shuara. Numri i bizneseve të shuara është fenomen i natyrshëm në të gjitha ekonomitë, marrë parasysh se ndërmarrësit ushtrojnë aktivitete të ndryshme të tregut duke ndërmarrë rreziqe afariste dhe duke u përpjekur për të përmirësuar gjendjen e tyre individuale.
Të dhënat statistikore argumentojnë se niveli i shuarjes së bizneseve në vendet e rajonit si dhe në shumë shtete tjera qoftë në tranzicion apo të zhvilluara është më i lartë se sa në Kosovë, çka dëshmon se tentativa e disa mediave të cilat e vënë theksin vetëm tek numri i bizneseve të shuara pa e krahasuar atë me numrin e bizneseve të regjistruara është manipulative dhe tendencë për të keqinformuar opinionin publik.
Sipas të dhënave të ARBK-së, dhe sipas analizave krahasuese ndër vite, shihet qartë një rritje e vazhdueshme e regjistrimit të bizneseve duke arritur numrin rekord të bizneseve të regjistruara prej 10,549 në vitin 2016, ndërsa shuarja vullnetare e bizneseve është bindshëm më e vogël (në total në vitin 2016 janë 2,379 biznese të shuara), që i bie të jetë rreth 22% në raport me Bizneset e Regjistruara.
Ky trend i shuarjeve nëse krahasohet me vendet në rajon, por edhe më gjerë, rezulton të jetë shumë pozitiv për Kosovën dhe ambientin aktual të të bërit biznes,duke pasur parasysh se në vendet Evropiane me infrastrukturë të avancuar biznesore norma krahasuese e bizneseve të shuara karshi atyre të regjistruara është mbi 30%. Ndërsa, në disa vende të ndryshme (si në ShBA, Slloveni, Kroaci) në vitin 2015 ka ndodhur një dukuri tjetër regresive ku numri i bizneseve të shuara ka qenë më i madh se numri i kompanive të regjistruara.
Për të krahasuar me trendet botërore dhe rajonale të raporteve në mes të bizneseve të shuara karshi atyre të regjistruara, ne po ua prezantojmë të dhënat zyrtarepër disa shtete nga raporti i fundit zyrtar: “The International Business Registers Report 2016” për vitin 2015, të përgatitur nga Forumi Evropian i Regjistrit te Bizneseve (European Commerce Registry Forum – ECRF[1])dhe që ofron të dhënat si në vijim:
Shtetet | Bizneset e Regjistruara | Bizneset e Shuara | Raporti % |
Gjermania | 151,602 | 101,357 | 66.86% |
Zvicra | 41,060 | 26,145 | 63.68% |
Austria | 16,825 | 6,321 | 37.57% |
Finlanda | 28,749 | 13,710 | 47.69% |
Mbretëria e Bashkuar | 606,176 | 190,965 | 31.50% |
Slovenia | 20,726 | 26,149 | -26.17% |
Kroacia | 13,745 | 17,305 | -25.90% |
Serbia | 41,614 | 35,116 | 84.39% |
Maqedonia | 6,713 | 4,234 | 63.07% |
Mali i Zi | 4,134 | 2,988 | 72.28% |
Kosova | 10,549 | 2,379 | 22.55% |
Nga të dhënat e prezantuara më lartë, mund të konstatojmë se Kosova është duke përjetuar një trend normal të krijimit dhe zhvillimit të bizneseve të reja por edhe të shuarjes së tyre, sepse në asnjë ekonomi të tregut të lirë çdo biznes i regjistruar nuk mund të jetë domosdoshmërish profitabil, përkundrazi, trendi kosovar i regjistrimit / shuarjes së bizneseve vlerësohet të jetë mjaft pozitiv dhe shpresëdhënës për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik falë reformave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit për të bërit biznes në Kosovë.
http://[1]http://www.ecrforum.org/wp-content/uploads/2016/05/IBRR_2016_webb.pdf