Reagon NATO pas incidentit të trenit: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse kërkohet

Prishtinë | 16 Jan 2017 | 16:27 | Nga

Aleanca Veri atlantike, NATO, i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit “që të përmbahen dhe të angazhohen në dialog”.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha se “KFOR-i është i gatshëm që të ndihmojë, nëse kërkohet dhe si një reagues i tretë, pas EULEX-it dhe Policisë së Kosovës”

Deklaratat e zëdhënëses së NATO-s, pasuan tensionet e krijuara pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të ndalojë, të shtunën, një tren me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe me mbishkrime nacionaliste.

Kthimi prapa I trenit shkaktoi një ‘luftë fjalësh’ ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë që presidenti serb tha se “ishte I gatshëm të dërgonte trupa në Kosovë për të mbrojtur shtetasit serbë, nëse kjo është e nevojshme”.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, i tha Radios Evropa e Lirë se problemi me trenin është “çështje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

“Ne po e vëzhgojmë situatën nga afër. Kjo është një çështje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ju bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të angazhohen në dialog.

Kjo është në interes të stabilitetit rajonal dhe të sigurisë. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon ta kryej rolin e tij, të man-datuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit OKB-së të vitit 1999. KFOR-i është i gatshëm që të ndihmojë, nëse kërkohet dhe si një reagues i tretë, pas EULEX-it dhe Policisë së Kosovës”, tha Lungescu në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme