Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, me anë të një videoje në rrjetet sociale nga brenda selisë së PD-së, i cilësoi të papranueshme skenat që u panë sot në protestën e thirrur nga Sali Berisha.
“Kjo është Partia Demokratike sot. Moment i rëndë, jo vetëm për gazin, dhunën, zonjat që ishin brenda me besimin absolut që nuk ka demokrat që sulmon një demokrat… Erdhëm në seli me besimin e plotë se asnjeri nuk mund t’i lërë kauzat përgjysmë”, tha ajo.
“Unë nuk besoj te dhuna apo te saldimi i portave. Kam ardhur me bindjen e plotë se kjo nuk duhet të ndodhte mes demokratëve. Është një fatkeqësi e madhe që ne, dikur bënim protesta kundër Ramës, sot bëjmë protesta kundër njëri-tjetrit. E papranueshme! Nuk është çështje godine, por është çështje njerëzish që besojnë në kauza reale”, thotë Duma.
“Ne prisnim që grupi parlamentar i personave që janë jashtë, të vinin dhe të negocionin me normalitet dhe qetësi. Duhet ndëshkuar dhuna, për një të ardhme të PD-së që sot nuk duhet ta jepte këtë pamje. Ndihem shumë keq. Unë do ia jap dorën prapë edhe atyre demokratëve që hipën nëpër shkallë sepse janë keqpërdorur. Distancohem nga dhuna e Sali Berishës. Tha që nuk ka dhunë, kur këtu ka gra të traumatizuara”, shtoi Grida Duma, disa momente përpara se të dilte nga selia e Partisë Demokratike.