Kryetari i Komunës së Podujevës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka reaguar pasi Policia e Kosovës dhe Prokuroria kanë nisur punën për të zbardhur denoncimin e një qytetari i cili në Polici ka thënë se është kapur për fyti nga kreu i Komunës gjatë kohës sa ishte duke kërkuar ndihmë në Qendren e Mjekësisë Familjare.
Bulliqi thotë se një lajm i tillë nuk është i vërtetë dhe se pretendimet e zyrtarit të Komunës janë trillime, sipas tij për të dëmtuar VV-në në prag të zgjedhjeve.
Ai thotë se gjatë kohës sa ka qenë në QKMF ka qenë i shoqëruar nga Drejtori i Shëndetësisë, Driton Veliu dhe Drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu.
“Sqarim lidhur me një lajm që po qarkullon në portale të ndryshme, se gjoja sot kam sulmuar një zyrtar komunal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Këto pretendime janë krejtësisht të pavërteta dhe shpifje me qëllim të vetëm për të dëmtuar reputacionin tim si kryetar i Komunës dhe të subjektit tim politik në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Gjatë vizitës sime në QKMF, unë kam qenë i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Driton Veliu, drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu dhe mjekë e infermierë të tjerë, të cilët mund ta dëshmojnë lehtë se aty nuk ka ndodhur asgjë dhe të gjitha pretendimet e këtij zyrtari janë trillime dhe inskenime të ulëta”, ka shkruar Bulliqi.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës duke thënë se bashkë me Prokurorin e Shtetit, po punojnë për zbardhjen e pretendimeve.