Reagon ShSKUK-ja: Bordi nuk ndërhyn në punën e klinikave, por i mbikëqyrë dhe i mbështetë

Prishtinë | 26 Shk 2023 | 19:45 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) ka reaguar pas lajmit të publikuar sot në Ekonomia Online dhe në medie të tjera, me titullin “Shumë klinika në QKUK me ushtrues detyre, Haxhiu beson se ‘kjo është njëfarë forme për t’i kontrolluar’”.

Në reagim thuhet se nuk qëndron konstatimi se “shumë” klinikave menaxhohen nga ushtrues detyre, pasi aktualisht janë vetëm 2 institucione, Klinika e Onkologjisë dhe Shërbimi Klinik i Kardiokirurgjisë që menaxhohen nga u.d.

ShSKUK-ka ka reaguar edhe ndaj deklaratës së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili mosemërimin e drejtorëve e sheh si mundësi për t’i kontrolluar dhe shantazhuar ata.

“Është papërgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Bordit të ShSKUK-së që tani e më shumë se 6 muaj ka shumë pozita udhëheqëse të cilat janë me ushtrues detyre kjo është njëfarë forme për t’i kontrolluar dhe për t’i shantazhuar ushtruesit e detyrës, për t’i pasur impakt edhe Bordi i ShSKUK-së edhe Ministria e Shëndetësisë tek këta udhëheqës në sektorin e shëndetësisë”, ka deklaruar Haxhiu, për EO.

“Bordi Drejtues i ShSKUK-së, nuk ndërhyn në punën e klinikave por mbikëqyrë dhe i mbështetë, përmes kompetencave ligjore që ka, sipas Statutit, pra punën e të gjitha institucioneve përbërëse të ShSKUK-së”, thuhet në reagimin dërguar medieve.

REAGIMI I PLOTË:

Deklarimi se shumica e drejtorëve të klinikave në QKUK janë me ushtrues detyre, nuk qëndron, ngase nga 38 klinika dhe shërbime klinike në QKUK, 36 prej tyre menaxhohen nga drejtor të zgjedhur, vetëm 2 institucione, Klinika e Onkologjisë dhe Shërbimi Klinik i Kardiokirurgjisë menaxhohen nga ushtrues detyre.

Duhet të theksojmë që për Klinikën e Onkologjisë, konkursi është i hapur dhe është në proces te përzgjedhjes, përmes një procesi konkurrimi të drejtë dhe transparent.

Më tej, theksojmë se Bordi Drejtues i ShSKUK-së, nuk ndërhyn në punën e klinikave por mbikëqyrë dhe i mbështetë, përmes kompetencave ligjore që ka, sipas Statutit, pra punën e të gjitha institucioneve përbërëse të ShSKUK-së.

Sqarojmë se të gjithë drejtorët e klinikave në ShSKUK janë zgjedhur në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Çdo pretendim që emërimet janë bazuar në përkatësi politike është i pabazë dhe minon punën e palodhur dhe përkushtimin e stafit tanë për të respektuar standardet më të larta të profesionalizmit dhe transparencës.

Sigurojmë publikun se prioriteti ynë mbetet ofrimi i shërbimeve shëndetësore sa më cilësore për qytetarët e Kosovës, dhe që institucionet tona të drejtohen në përputhje me ligjin dhe praktikat më të mira.

Andaj, jemi të përkushtuar që të sigurojmë që të gjitha pozitat udhëheqëse në klinikat dhe shërbimet tona klinike të plotësohen përmes proceseve konkurruese të ndershme dhe transparente, bazuar vetëm në merita dhe kualifikime profesionale, pa anime politike.

Të ngjashme