Reagon vëllai i Oliver Ivanoviqit: Vuçiq u vonua shumë për kërkim falje

Prishtinë | 24 Gus 2023 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Miroslav Ivanoviq, vëllai i Oliver Ivanoviqit, ka thënë se kërkim falja nga Gjermania për deklaratën e ministrit serb të policisë Bratisllav Gashiq se vrasësit e ish-liderit të Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia” janë nën mbrojtjen e shtetit gjerman, ishte dashur të bëhet shumë më herët mga presidenti Aleksandar Vuçiq.

“Një deklaratë e tillë, si ajo e Gashiqit, nuk tolerohet dhe nuk harrohet në botën diplomatike. Dhe për këtë duhet të merren disa masa me dëshmi për një kërkim falje serioze për ta nxjerrë këtë vend nga ky skandal”, ka thënë Mirosllav Ivanoviq, për gazetën serbe Danas

Siç ka shtuar ai, “është e sigurt që së paku duhej të përmendet edhe familja e Oliverit në të gjitha këto, sepse ata nuk e kuptojnë dhe nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë publikimi i një informacioni të tillë, madje edhe shumë më të butë, për familjen dhe disponimin e familjes”.

Aleksandar Ivanoviq, nipi i Olliver Ivanoviqit, tha se “ky është një turp i madh që sigurisht nuk mund të zgjidhet duke i kërkuar falje Gjermanisë dhe duke mbetur ministri Bratisllav Gashiq në postin e ministrit të Policisë”.

Ai ka vlerësuar se pas këtij skandali, Gashiq do të duhet të japë dorëheqje ose të shkarkohet me procedurë urgjente.

“Pas kësaj, i takon prokurorit të vërtetojë arsyet pse ministri Gashiq, tashmë është e qartë për të gjithë, qëllimisht ka mashtruar opinionin kur së fundi e ka valëvitur dosjen e Oliver Ivanoviqit në Kuvendin e Serbisë dhe ka thënë se rasti është zgjidhur, se dihet kush është vrasësi dhe ku është, nën mbrojtjen e shtetit gjerman”, ka theksuar Ivanoviq.

Dje Vuçiqi i ka kërkuar falje Gjermanisë për pretendimin e Gashiqit, duke deklaruar se Serbia kishte folur me pjesëtarët e shërbimit gjerman dhe kishte marrë garanci dhe prova se ata nuk i fshehin të dhënat.

Të ngjashme