Jo vetëm në fushën e lojës për trofe të ndryshëm, Real Madridi dhe Barcelona do të luftojë edhe për sulmuesit e njëjtë para sezonit të ri 2020/21, sipas mediave spanjolle.
Derisa e gjithë vëmendja është në El Clasicon e sotme, Reali dhe Barça janë duke menduar edhe për blerjen e një sulmuesi nëntësh në afatin kalimtar të verës.
Në Spanjë është duke u përfolur se këto klube rivale janë duke i vëzhguar sulmuesit e njëjtë, para se të vendosin se kë ta transferojnë.
Me Luka Jovicin që ka dështuar ta tregojë veten deri tani në Real Madrid, klubi është duke menduar për ta zëvendësuar atë me njërin prej emrave në vazhdim, Erling Haaland, Lautaro Martinez apo Timo Werner, sipas të përditshmes spanjolle, MARCA.
Haaland është në krye të listës së dëshirave të Realit, pasi i ka shënuar 12 gola në vetëm nëntë ndeshje që prej transferimit në Dortmund në janar.
Për Barcelonën, ndërkohë, sipas të përditshmes katalonase Mundo Deportivo, fokusi është në Martinezin e Interit apo Wernerin e Leipzig.