Skuadra e Real Madridit është caktuar të kthehet në kampin stërvitor Valdebebad më 11 maj, edhe pse në këtë datë do të nisin vetëm stërvitjet individuale të lojtarëve.
Kampi Valdebebas është përshtatur për t’i plotësuar kriteret higjienike dhe për distancim, të cilat janë caktuar që rreth dy muaj, kur u pezulluan aktivitetet sportive në Spanjë dhe pothuajse kudo në botë.
Skuadra e Zinedine Zidane do të vazhdojë të jetë e izoluar për shkak të numrit të reduktuar të lojtarëve dhe trajnerëve që do të lejohen në ambientet e kampit stërvitor.
Ambientet ku lojtarët dhe stafi grumbulloheshin në të kaluarën nuk do të jenë në përdorim dhe do të jenë të mbyllura deri sa të përmirësohet situata me koronavirusin.
Ekipet e La Ligës do të kenë mundësi të bëjnë teste të koronavirusit gjatë javës së ardhshme, mirëpo Këshili Kombëtar i Sportit ka bërë të ditur se lojtarët që nuk kanë simptoma dhe s’kanë pasur kontakt me persona të infektuar s’do të jenë të detyruar ta bëjnë testin.
Megjithatë, para se të nisin ndeshjet e futbollit dhe para se të mund të kthehen stërvitjet grupre, trajnerët, lojtarët dhe anëtarët e tjerë të stafit do të duhet të dalin negativë në këtë test.
Lojtarët e Real Madridit do të vazhdojnë të stërviten individualisht, por tani do të lejohen ta bëjnë këtë në kampin e klubit, e jo siç kanë bërë deri më tani në shtëpitë e tyre. /Gazeta Express/