Reali punon për rinovimin me Ramos, por palët duken ende larg

Prishtinë | 30 Mar 2020 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Sergio Ramos po luan sezonin e tij të 15 me fanellën e Realit të Madridit, kohë gjatë të cilës ia ka dalë të ngrejë lart trofe të shumtë, ndërsa me meritë prej disa sezonesh i është dhënë edhe shiriti i kapitenit, transmeton Klan Kosova.

Megjithatë kontrata e mbrojtësit 34-vjeçar me klubin madrilen përfundon në qershor të vitit 2021 dhe ndonëse palët po punojnë për të rinovuar bashkëpunimin, duket se janë ende larg njëra-tjetrës, ndaj nuk përjashtohet edhe një “divorc” pas fundit të sezonit të ardhshëm.

Forma jo e mirë e Ramos gjatë dy viteve të fundit dhe nervoziteti që e ka penalizuar jo pak Realin në fushën e lojës, i ka bërë drejtuesit që të mos jenë fort të bindur për rinovimin me kapitenin, ndonëse negociatat vijojnë ende.

Mbrojtësi spanjoll kërkon një rinovim deri në verën e 2023-shit, për të mbyllur karrierën pikërisht me Realin e Madridit, atëherë kur të ketë 37 vite mbi supe, ndërsa Florentino Perez nuk i ofron më shumë se një vit zgjatje të kontratës, duke i kujtuar Ramosit politikën e klubit.

Në fakt Reali sipas supersport.al, nuk ofron më rinovime afatgjata për lojtarët që janë mbi 33 vjeç, ndaj nëse palët nuk do të arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët gjatë kësaj vere, nuk përjashtohet as një largim i menjëhershëm i Ramosit, në formë “hakmarrjeje” ndaj “Los Blancos”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme