Realizohet fluturimi i parë ndërkombëtar nga Kabuli në Doha

Prishtinë | 09 Sht 2021 | 20:13 | Nga Ekonomia Online

Dhjetëra shtetas të huaj, përfshirë amerikanë, kanë arritur të enjten në Katar përmes fluturimit të parë civil që është realizuar nga kryeqyteti afgan, prej përfundimit të misionit amerikan dhe krijimit të qeverisë nga talibanët.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë nga aeroporti i Dohas, janë parë familjet që kanë arritur atje pas aterimit të aeroplanit të kompanisë Qatar Airways.

Në aeroplan është thënë se kanë qenë shtetas të huaj, përfshirë amerikanë dhe britanikë.

Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, ka falënderuar talibanët që kanë ndihmuar në rikthimin e operacioneve në Aeroportin e Kabulit.

Ekipet e Katarit dhe ato të Turqisë është raportuar se janë duke punuar për ta aktivizuar plotësisht aeroportin e Katarit, ndonëse fluturimet e brendshme kanë nisur më herët gjatë kësaj jave.

Pas uljes në Doha, Ministria e Jashtme britanike ka thënë se 13 shtetas britanikë kanë qenë në mesin e pasagjerëve.

Agjencia e lajmeve Associated Press ka cituar dy zyrtarë nga Katari të kenë thënë se rreth 150 amerikanë kanë qenë në mesin e pasagjerëve.

Reuters ka cituar një zyrtar në Doha të ketë thënë se 200 persona joafganë do të largohen nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 100,000 amerikanë, afganë të rrezikuar dhe shtetas të vendeve të treta nga Afganistani.

I dërguari special i Katarit, Mutlaq bin Majed Al Qahtani, ka refuzuar shprehjen “evakuim” për fluturimin e 9 shtatorit.

“Mund ta quani si të doni, fluturim komercial apo me qira, secili ka pasur bileta dhe numër të fluturimit”, ka thënë al-Qahtani sipas Al Jazeera.

“Shpresojmë që jeta t’i kthehet normalitetit në Afganistan”.

Ai ka thënë se një tjetër fluturim i ngjashëm do të realizohet më 10 shtator.

Shumë qeveri dhe organizata joqeveritare kanë paralajmëruar për katastrofë humanitare dhe kanë bërë thirrje për rikthim të shpejtë të fluturimeve për të dërguar ndihma humanitare dhe gjëra tjera të domosdoshme në Afganistan.

Ushtria amerikane i ka dhënë fund misionit të tij në Afganistan më 30 gusht të këtij viti.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Të ngjashme