Kompania ajrore australiane, “Qantas”, e ka realizuar me sukses një fluturim testues nga Nju Jorku i Shteteve të Bashkuara deri në Sydney të Australisë pa ndërprerje. Ky fluturim ka hyrë në histori si fluturimi më i gjatë i një aeroplani komercial.
Duke bartur 50 udhëtarë dhe anëtarë ekuipazhi, fluturimi me numër “QF7879” u realizua me aeroplanin e tipit “Boeing 787-9 Dreamliner” dhe përfundoi të dielën në mëngjes në Sydney të Australisë pas një udhëtimi prej 16 mijë e 200 kilometrash, i cili zgjati 19 orë e 16 minuta.
Shefi ekzekutiv i kompanisë “Qantas”, Alan Joyce, i cili ishte në mesin e udhëtarëve, pas përfundimit të fluturimit tha: “Ky është një moment vërtet historik për kompaninë tonë, një moment vërtet historik për aviacionin australian dhe një moment vërtet historik për aviacionin botëror”.
Pas rritjes së kërkesës për transport ajror dhe pas përmirësimit të performancës së aeroplanëve, kompanitë e fluturimeve po synojnë që të realizojnë më shumë fluturime me largësi të madhe. Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror pret që numri i udhëtarëve që e shfrytëzojnë këtë lloj transporti në niveli botëror të rritet nga 4.6 miliardë, sa ishte këtë vit, në 8.2 miliardë deri në vitin 2037, transmeton Express.
Qëllimi i këtij fluturimi ishte mbledhja e të dhënave për efektet e fluturimeve të gjata ndaj udhëtarëve, përfshirë gjumin dhe nivelin e melatoninës te anëtarët e ekuipazhit. Një ekip i hulumtuesve gjithashtu e përcolli gjendjen e trurit të pilotëve përmes pajisjeve të veçanta për monitorimin e trurit.
Kjo kompani po planifikon që të realizojë edhe një fluturim tjetër testues, kësaj radhe nga Sydney në Londër dhe pret që deri në fund të vitit të marrë vendim nëse do t’i fillojë këto fluturime për udhëtarë të zakonshëm. Nëse vendoset pozitivisht, ato do të nisnin nga viti 2022 ose 2023, shkruan “The Guardian”.