Rebelët “Houthi” në Jemen thonë se i kanë zënë robër shumë ushtarë sauditë pas një sulmi të gjerë afër kufirit mes Jemenit dhe Arabisë Saudite.
Një zëdhënës i rebelëve i tha BBC-së se tri brigada saudite janë dorëzuar afër qytezës saudite, Najran.
Ai tha se mijëra ushtarë sauditë janë kapur dhe shumë të tjerë janë vrarë. Në anën tjetër, zyrtarët sauditë nuk e kanë konfirmuar apo mohuar një deklaratë të tillë.
Ky zëdhënës tha se operacioni ishte më i madhi i llojit të vet që nga fillimi i konfliktit. Ai shtoi se forcat saudite kanë pësuar humbje të mëdha në trupa dhe makineri.
Koloneli Yahiya Sarea premtoi se të gjithë ushtarët e zënë rob do të shihen në një rrjet televiziv të dielën.
Këta rebelë e kanë marrë përgjegjësinë edhe për sulmet me dronë në stacionet e naftës në Arabinë Saudite më 14 shtator. Këto sulme kishin ndikuar në zvogëlimin e prodhimit botëror për 5 për qind dhe rritje të çmimit të karburanteve.
Megjithatë, Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania e fajësuan publikisht Iranin për këto sulme, ndonëse republika islamike ka mohuar se ka gisht në këtë incident, shkruan “BBC”