Rebelët Huthi sulmojnë një aeroport në Arabinë Saudite

Prishtinë | 02 Kor 2019 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Rebelët Huthi në Jemen, të cilët mbështeten nga Irani, sulmuan aeroportin Abha në Arabinë Saudite, duke plagosur nëntë vetë.

Koalicioni saudit, i cili i lufton rebelët Huthi, tha përmes një deklarate se nëntë civilë janë plagosur, në mesin e tyre tetë sauditë dhe një shtetas i Indisë.

Një zëdhënës i rebelëve konfirmoi se grupi ka kryer një “operacion të madh” me shënjestër aeroportin në Abha, që është kryeqytet i provincës Asir në Arabinë Saudite.

I njëjti aeroport është sulmuar edhe në qershor, kur ka mbetur i vdekur një person.

Lëvizja shiite Huthi është rebeluar në Jemen që nga viti 2014, kur ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territorit, duke e detyruar presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të mërgojë.

Konflikti është përshkallëzuar në mënyrë dramatike në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe tetë vende të tjera sunite arabe – të mbështetura nga SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca – kanë filluar sulmet ajrore kundër rebelëve Huthi, me qëllim, siç është thënë, rikthimin e qeverisë së presidentit Hadi.

OKB-ja thotë se mbi 7,000 civilë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme