Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica ka pritur në takim kryetarin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj dhe sekretarin e shoqatës, Enver Krasniqi.
Përmes një postimi në Facebook, Reçica ka thënë se me ta ka biseduar lidhur me gjendjen, angazhimin dhe nevojat e shoqatës në këtë periudhë të vështirë pandemie.
“Me shumë kënaqësi prita sot në takim kryetarin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, z. Fadil Shurdhaj bashkë me sekretarin e shoqatës, z. Enver Krasniqi, me të cilët bashkëbiseduam lidhur me gjendjen, angazhimin dhe nevojat e shoqatës në këtë periudhë të vështirë pandemie”, ka shkruar ai.
Reçica iu ka premtuar se do të krijojnë bazë ligjore që ua mundëson atyre të punojnë edhe në sektorin privat, si dhe përfitimin e më shumë pensioneve për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.
“Drejtuesit e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, më dhanë përkrahjen e plotë për angazhimet e MPMS në funksion të jetësimit të prioriteteve, me theks të veçantë për të krijuar bazën ligjore që ua mundëson për të punuar ne sektorin privat të gjithë veteranëve të luftës së UÇK, si dhe për lejimin e përfitimit në më shumë pensione për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës”, ka shkruar Reçica.