Pas debatit në Kuvend për shtesat e fëmijëve, ministri Reçica ka thënë se nataliteti nuk është bërë brengë e këtij vendi në mungesë të buxhetit, por në mungesë të iniciativave, në mungesë të ndërmarrjeve.
Ai duke iu referuar statistikave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, ka thënë se sivjet 16 mijë fëmijë më pak kanë nisur shkollën, duke e vlerësuar këtë fakt si shqetësues për të gjithë, raporton Ekonomia Online.
Ai ka bërë të ditur se janë në fund të draftimit të koncept-dokumentit për reformën e sistemit pensional, dhe, sipas tij, në këtë koncept-dokument parashihet krijimi i fondit për sigurime sociale në të cilën në një të ardhme të afërt do të instalohet edhe sistemi i shtesave për fëmijë.
“Sipas të dhënave zyrtare, numri i fëmijëve në moshën 0-14 mund të jetë rreth 450 mijë fëmijë. Duhet të përcaktohet qartë mënyra e financimit dhe mbulimit të kostos për pagesën e shtesave për fëmijë. Ministria është duke punuar në këtë koncept-dokument në mënyrë që shtesat për fëmijë të realizohen pa ndonjë ngarkesë shtesë për buxhetin e Kosovës”.
Sipas Reçicës, me krijimin apo aprovimin e ndonjë politike lidhur me shtesat e fëmijëve duhet të kihet kujdes në harmonizimin mes Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale si dikaster përgjegjës për mirëqenien e qytetarëve dhe gjithë institucioneve të tjera, duke pasur parasysh se në të kaluarën, siç tha, ka pasur politika e ligje që kanë rënë ndesh me njëra-tjetrën.
“Ne si ministri me reformat që jemi duke i bërë gjatë këtij viti janë në funksion të kësaj që janë më lart, përfshirë këtu reformën për Ligjin në marrëdhënien e punës, Ligjin për Lehonat, i cili për herë të parë në historinë e re të Kosovës trajton lehonat dhe pushimin prindëror, si lehonat e punësuara, si ato të papunësuara që deri më tani nuk është ngritur as edhe i vetmi zë për to”.
Rezoluta e propozuar nga deputetja Kadaj-Bujupi nuk ka arritur të votohet për shkak të mungesës së kuorumit dhe si rrjedhojë seanca ka përfunduar.