Ish-trajneri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se Liverpooli tashmë e ka të sigurt trofeun e Premierligës për këtë sezon – edhe pse ende janë zhvilluar vetëm tetë ndeshjet e para.
Skuadra e Jurgen Kloppit e ka mposhtur secilin rival në ndeshjet e zhvilluara në kuadër të ligës elitare të futbollit në Angli deri më tani këtë sezon dhe e kryeson Premierligës me epërsi prej tetë pikësh nga Manchester City.
Përderisa Liverpooli e shpërdoroi një epërsi të tillë gjatë sezonit të kaluar, kur Manchester City u shpall kampion i Anglisë për vetëm një pikë më shumë të grumbulluar, Redknapp është i bindur se tashmë gara për titull ka marrë fund.
“Unë mund ta shoh Liverpoolin duke e fituar titullin e kampionit të Anglisë këtë sezon”, tha Redknapp, në një intervistë të dhënë për të përditshmen angleze, DailyMail.
“Jepjani trofeun dhe jepjani atë tani menjëherë. Unë e kam vënë një bast të madh dhe mendoj se personat me të cilët kam vënë bast duhet të më paguajnë tani”.
“Nëse unë e kam një klub të cilin do të doja shumë ta menaxhoja, atëherë ai klub do të ishte Liverpoolit. I dashuroja ata”.
Liverpooli do të përballet me Manchester Unitedin në “Old Trafford” të dielën, kur do të tentojë ta barazojë rekordin e Manchester Cityt në Premierligës për 18 fitore të siguruara radhazi në ligën vendore.
Përderisa Kloppi dhe Guardiola po përgatiten për një tjetër garë të ashpër për titullin e kampionit, Redknapp ka bërë të ditur se ai kishte besuar se edhe ish-klubi i tij, Tottenhami, do të ishte në garë këtë sezon.
“Në fillim të vitit, unë me të vërtetë mendova se Tottenhami do t’i bënte shumë presion Manchester Cityt dhe Liverpoolit. Por, për ta ky sezon ka nisur në mënyrë zhgënjyese dhe ata duhet ta ndryshojnë këtë. Megjithatë, unë besoj se do ta mbyllin sezonin në pozitën e tretë”, shtoi Redknapp.
Skuadra e Mauricio Pochettinos është për momentin në pozitën e nëntë në tabelën e Premierligës, pas disfatës me rezultat 3:0 kundër Brightonit në xhiron e fundit, që erdhi vetëm disa ditë pas disfatës 7:2 kundër Bayernit në Ligën e Kampionëve.
Përkundër vështirësive të shfaqura gjatë fillimit të këtij sezoni, Redknapp e ka inkurajuar Pochettinon të mos largohet nga skuadra.