Kompania kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) nuk e ka kursyer nga reduktimet e energjisë elektrike as qendrën më të madhe spitalore në Kosovë – QKUK-në, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Prej orës 00:00 deri në orën 00:15 të mërkurën (dje) KEDS-i e ka lënë në terr Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, në të cilën trajtohen rastet kirurgjike nga më të ndryshmet. Gjatë kohës sa nuk kishte rrymë elektrike QKUK-ja ka aktivizuar gjeneratorët.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka konfirmuar për “Zërin” se dje në mesnatë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në QKUK, por një gjë e tillë ka ndodhur me kërkesë të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe të Tregut (KOSTT-it).
“Ka qenë ndërprerje e planifikuar me kërkesë të KOSTT-it nga ora 00:00 deri në orën 00:15. Për këtë ndërprerje ishin lajmëruar të gjithë paraprakisht përmes medieve”, ka thënë ai.
Megjithatë, ndërprerja e energjisë elektrike nuk i ka gjetur të përgatitur mjekët nëpër klinikat e QKUK-së, të cilët i kanë trajtuar pacientët.
Zyrtarë për medie në zyrën e drejtorit të Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK-së) kanë deklaruar se kanë qenë të informuar me kohë për ndërprerjet e energjisë.