“Unë po bëj shumë pak “, thotë Iragartze Fernandez, gjyqtarja e futbollit në Spanjë, e cila u kthye në infermiere me orar të plotë, duke e ndërruar bilbilin me një maskë në fytyrë me shpresën për të ndihmuar Spanjën të luftojë koronavirusin.
26-vjeçarja, e cila referon ndeshjet në La Liga Iberdrola, që është kategoria superiore e futbollit të femrave në Spanjë, por edhe në Segunda B, që është liga e tretë në konkurrencën e meshkujve, ka pesë vjet që ushtron edhe profesionin e një infermiereje në Qendrën Shëndetësore Rekalde në Bilbao, transmeton KOHA.
Por derisa përhapja e pamëshirshme e virusit i ka shtyrë spitalet në Spanjë në pikë shkatërrimi, Iragartze Fernandez u kthye në orar të plotë si infermiere për të ndihmuar në shpëtimin e pacientëve të prekur me virusin vdekjeprurës.
“Kur dikush arrin me kollë dhe ethe, detyra ime është të analizoj simptomat e tyre, ndërsa kam të veshura pajisjet mbrojtëse”, i tha ajo AFP-së.
“Rreziku që ta transmetojmë sëmundjen është i lartë nga ne, sepse vazhdimisht po jetojmë pranë saj. Kjo është një përvojë shumë stresuese, sepse gjithmonë luftoni kundër diçkaje që nuk mund ta shihni. Gjithmonë je duke luajtur në disavantazh”.
“Nuk jam një super-grua”
Spanja është vendi i dytë në botë me më së shumti njerëz të vdekur në botë nga koronavirusi, pas Italisë, me më shumë se 4,000 jetë të humbura nga pandemia, sipas shifrave të fundit.
Futbolli ka ecur përpara, pasi trajnerët, lojtarët dhe tifozët kanë mbledhur miliona euro për të shtuar përpjekjet dhe luftën, ndërsa klubet kanë ofruar objektet në një përpjekje për të lehtësuar tendosjen.
Megjithatë, Iragartze Fernandez është ndër të paktat nga sporti që kanë zënë vendin në vijën e parë të luftës.