Partnerët e koalicionit PDK – LDK thonë se reforma zgjedhore e iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi nuk mund të bëhet pa konsensus me subjektet opozitare. Ndërsa opozita që nga fillimi e ka kundërshtuar reformën, duke thënë se ajo duhet të bëhet pas zgjedhjeve.
Reforma zgjedhore e iniciuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në fund të vitit të kaluar është mbështetur në grupet punuese dhe pritet të procedohet në Kuvend.
Megjithatë, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, si dhe ata të shoqërisë civile thonë se reforma nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e subjekteve opozitare në këtë proces.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë për “Zërin”, se do të ishte mirë që të gjithë të jenë të përfshirë në këtë proces, pushteti dhe opozita.
“Reforma zgjedhore nuk i duhet vetëm pozitës, apo një a dy partive, ajo iu duhet të gjitha partive. Madje, sa është e rëndësishme që të jenë të përfshira të gjitha partitë është e rëndësishme që të jetë e përfshirë e gjithë shoqëria. Ky është një shans që tash është lansuar përmes presidentit, por është mirë të mos bëhet me ngut, të priten të gjithë që ta japin kontributin e tyre”, ka deklaruar Pajaziti.
Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa pjesëmarrjen e opozitës, sepse ka të bëjë me organizimin e jetës politike në vend.