Refuzimi i ftesës së Prokurorisë nga Kurti, shembull dhe thirrje pasuesve të tij për sabotim të drejtësisë

Prishtinë | 22 Dhj 2024 | 08:55 | Nga Besa Ismaili

Ktynehere [kur dunjaja duket sot të paskësh qenë më mbarë], kryeministrat fillonin fushatat me diferencimin e vetes nga ministrat e dyshuar për korrupsion, dënimi i korrupsionit dhe lënia në dorë, pa ndërhyrje, të rasteve drejtësisë.

Por kur #erdhidita dhe u bë ndryshimi, situata sot është si në vijim:

Kryeministri Kurti ka nisur fushatën politike me përpjekjen për të delegjitimuar hetimin ndaj ministrave të vet.

Kryeministri Kurti, zëvendësi i tij, Bislimi përmes zëdhënësit të tyre, z.Kryeziu, po mundohen t’ia shesin opinionit këtë ftesë si tendencë për të pamundësuar kandidimin e tij në zgjedhjet e 9 shkurtit, por realiteti është qartësisht ndryshe.

Kryeministri duke mos iu përgjigjur kërkesës së prokurorisë speciale për të dëshmuar, përveç që synon të shmangë një situatë ku dëshmia e tij mund të përdoret kundër tij ose partisë që ai përfaqëson, ai u pozicionohet edhe njëherë fortësisht në mbrojtje të vartësve të vet të akuzuar për korrupsion.

Kjo, sepse me gjasë edhe ai beson se ekziston një mundësi që dëshmia e tij të zbulojë përfshirje ose njohuri për çështje të diskutueshme dhe të paligjshme.

Prandaj përmes refuzimit ai po zhvillon betejën e tij [të humbur] për të minimizuar rëndësinë e çështjes dhe për të shmangur ekspozimin publik të saj.

Përpjekjet e kryeministrit për të delegjitimuar hetimin, është në konsistencën e tij dhe qeverisë së tij për përmbysjen e pavarësisë së pushteteve të ndara dhe koncentrimin e pushtetit tek Ai – te Albin Kurti.

Refuzimi i tij i bashkëpunimit gjithashtu është shembull dhe thirrje pasuesve të tij për sabotim ndaj drejtësisë në Kosovë.

Për Albin Kurtin dhe partinë e tij, nuk vyejnë as kushtetuta, as gjykatat, as mediet, as opozita, as sindikatat, as aleatët, as Evropa, as Amelika.

Albin Kurtit ia mbushë syrin vetëm Albin Kurti, ai është vetë sulltani, vetë kadiu.

Të ngjashme