Kolegji Penal i Gjykatës Themelore në Podgoricë ka refuzuar ankesat e avokatëve të të dyshuarve në rastin “Tuneli”, I.P. dhe N.M., të cilët do të qëndrojnë në paraburgim deri në 30 ditë.
Mbrojtësit e të akuzuarve vendimet për refuzimin e ankesave i kanë marrë të premten, njoftoi RTCG sonte në mbrëmje.
Përfaqësuesja e të pandehurit N.M., avokatja Maja Turkoviq, në ankesë deklaroi se mendon se urdhri i paraburgimit është i pabazuar.
Të dyshuarve në rastin “Tuneli”, K.B., M.V., I.P. dhe N.M., me vendim të Gjykatës Themelore të datës 15 tetor, u është caktuar masa e paraburgimit deri në 30 ditë.
Ata janë arrestuar dhjetë ditë më parë me urdhër të Prokurorisë Themelore të Shtetit, pasi dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që hapi tunelin në depon e Gjykatës së Lartë në Podgoricë.
K. B. është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Themelore të Shtetit, pasi dyshohet se ka qenë pjesë e një grupi kriminal që ka hapur një tunel në depon e Gjykatës së Lartë.
Para inspektorëve të policisë në seancë, e më pas në prokurori, K. B. ka pranuar se ka pasur një rol të caktuar në rastin “Tuneli”, ndërsa të tjerët e kanë mohuar fajësinë, sipas RTCG.