Bersim Abdijat nga Prizreni dhe gjashtë propozuesve të të tjerë ju është refuzuar kërkesa e masës së sigurisë për një sipërfaqe të pronës së tyre, e cila është shpronësuar nga Qeveria e Kosovës .
Kërkesa e tyre është refuzuar si e pabazuar nga Gjykata Themelore në Prizren.
“Refuzohet si i pabazuar propozimi i Bersim Abdija dhe të tjerëve, për “mostjetërsimin, ngarkimin apo ndryshimin e ngastrës kadastrale nr.171-1 Zk Dushanovë”, kjo pasi që sipas gjykatës prona është dhënë me qira, e cila do të përdoret për sistem integral të transportit dhe sheshin e pagesës dhe si e tillë nuk është tjetërsuar dhe se është objekt i çështjes juridike jokontestimore”, thuhet në aktvendimin e gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Prizren, Agron Hoxhaj, transmeton BetimipërDrejtës.
Palët pretendojnë se, një pjesë e tokës së tyre, e shpronësuar për autostradën “Ibrahim Rugova”, i është dhënë me qira një ndërmarrje private.
Avokati i palëve, Afrim Paçarizi, tregon se, më 4 janar 2020, para së të bëhet ndërrimi i qeverisë , ish-sekretari permanent Betim Grajqica ka lidhë marrëveshje me ndërmarrjen “Real Estate Kosova”, për dhënien me qira të pronës për 20 vite.
“Grajqica i ka bërë të gjitha këto veprime, duke ditur se është në procedurë për kthimin e kësaj prone tek ish-pronarët”, tha Paçarizi.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës këtë pronë e ka lënë jashtë rrethojave të autostradës.
Ai, në seancën dëgjimore ka kërkuar nga gjykata që të vendos masën e sigurisë për arsye të konflikteve eventuale.
“Nga kjo masë nuk pëson asnjë palë, e as pala e tretë që ka hyrë në posedim të kësaj prone”.
Ndërkaq, përfaqësuesja ligjore e Qeverisë së Kosovës, Ilire Aydogan, ka kundërshtuar propozimin për caktimin e masës së sigurisë së pronës.
“Prona është shpronësuar sipas ligjit për shpronësimin dhe udhëzimeve administrative, si dhe po ashtu, edhe palët janë kompensuar”, tha ajo.
Aydogan thotë se, titullar i kësaj prone është Qeveria e Kosovës.
“Sa i përket asaj se një pjesë ka mbetur e pashpronësuar, është e destinuar të përdoret për sistem integral të transportit dhe sheshit për pagesë, e cila do të funksionalizohet pas vendimit të Qeverisë për pagesën”, transmeton BetimipërDrejtesi.
“Gjykata gjen se kundërshtari i masës së sigurimit- Qeveria e Kosovës përpos patundshmërive tjera të dhëna me qira, pronën e shpronësuar në fjalë të propozuesve, e ka dhënë me qira, dhe nuk e ka tjetërsuar dhe se ajo është objekt i çështjes juridike jokontestimore, derisa kjo pronë nga Qeveria e Republikës së Kosovës do ta përdor për sistem integral të transportit dhe për sheshin për pagesë e cila do të funksionalizohet pas vendimit të Qeverisë për pagesën”, thuhet në aktvendim.
Gjykata Themelore në Prizren vlerëson se këto pretendime të propozuesve për caktimin e masës së sigurimit, kanë të bëjnë me çështjen kryesore, e për të cilën do të vendos në ndërkohë, dhe se nuk ekziston rreziku se pa caktimin e kësaj mase, do t’iu vështirësohej dukshëm realizimi i kërkesës së tyre.
“Refuzimi i kësaj kërkese për caktimin e masës së sigurimit nuk e paragjykon vendosjen për këtë çështje dhe po ashtu thuhet se sikurse kjo masë të aprovohej, do të zgjidhej edhe çështja kryesore”.
“Andaj edhe për këto arsye, propozimi i propozuesve Bersim Abdija dhe 6 të tjerëve për caktimin e masës së sigurimit “për mostjetërsimin, ngarkimin apo ndryshimin e ngastrës kadastrale nr.171-1 Zk Dushanovë” refuzohet si e pabazuar”.
Procedura në këtë çështje juridike jokontestimore do të vazhdojë sipas planit të gjykatës.
Sipas propozimit për lëshimin e urdhërit për rivendosjen e së drejtës pronësore të qershorit të 2016, propozuesit Bersim Abdija dhe 6 të tjerë, po kërkojnë lëshimin e urdhrit për rivendosje të së drejtës pronësore me masë të sigurisë ndaj Qeverisë.
Me qëllim të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdare, Qeveria e Kosovës, ka bërë shpronësimin e ngastrës kadastrale 171/1 në sipërfaqe të përgjithshme prej 810 m2 dhe pastaj edhe të tërë pjesës së mbetur nga sipërfaqja e përgjithshme prej 9260 m2 në ZK Dushanovë.
Kjo sipërfaqe është kompensuar në shumën e përgjithshme prej 338.00 euro sipas një vlerësimi zyrtar dhe se kjo patundëshmëri tani evidentohet në emër të Qeverisë.
Ndërkaq, gjendja në terren është ndryshe pasi që edhe pas kalimit të afatit 5 vjeçar, organi shpronësues nuk e ka shfrytëzuar pjesën e patundshmërisë me sipërfaqe prej 8073m2, e cila sipërfaqe ka mbetur jashtë rrethojave të autostradës në largësi prej 157 m dhe se kjo sipërfaqe nuk shfrytëzohet për qëllime të autostradës.
Ish-pronarët janë të dëmtuar dhe se për këtë arsye kërkojnë që të ju kthehet në posedim atyre dhe se të gjithë janë të gatshëm që të kthejnë të hollat që i kanë marrë më herët.
Ndërsa, sipas propozimit për masën e sigurisë, propozuesit theksojnë se prona që iu është uzurpuar atyre, tani Qeveria e Kosovës ka lidhur kontratë me “Real Estate Kosova” me të cilën kontratë paluajtshmërinë e ka dhënë me qira dhe se pikërisht prona e shpronësuar nuk po përdoret me qëllimin për të cilën është bërë shpronësimi dhe se kjo tokë përmes dhënies me qira do të përdoret për qëllime tjera me të cilat edhe do të ndryshohet destinimi i kësaj toke dhe të detyrohet Qeveria që të mos ndërmarrë asnjë veprim në këtë çështje deri në një vendim përfundimtar nga ana e Gjykatës.
Prandaj, kërkuan nga Gjykata Themelore në Prizren që të caktohet masa e sigurisë në këtë paluajtshmëri që të mos tjetërsohet, ngarkohet apo ndryshohet dedikimi i sipërfaqes prej 8080m2 të ngastrës kadastrale nr.171/ZK-Dushanovë.