Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë e paditëses S.S., nga P., paraqitur kundër të paditurës: Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), me të cilën ka kërkuar që të shpallen të paligjshëm dhe të shfuqizohen disa nene të Rregulloreve: (QRK) Nr.10/2023 për Kompensimin dhe Funksionin Shtesë, dhe (MFPT) Nr.02/2023 për Shtesën për Kushtet e Tregut të Punës.
Paditësja konsideron se kriteri që përjashton nga e drejta për kompensim zyrtarët publikë që ushtrojnë funksione shtesë në komisione apo borde të themeluara nga institucioni ku janë të punësuar, është diskriminues dhe i pajustifikuar.
Gjykata Supreme konsideron se në Ligji për Pagat në Sektorin Publik, është i qartë në përcaktimin e dispozitave për kompensimin e funksioneve shtesë dhe në kufizimin e këtij kompensimi vetëm për funksione që nuk përfshihen në detyrat bazë të zyrtarëve publikë.
Gjykata vlerëson se kriteri i përcaktuar në nënparagrafin 2.6 të nenit 5, sipas të cilit kompensimi për funksion shtesë nuk përfitohet kur komisioni apo bordi themelohet nga institucioni ku zyrtari është i punësuar, është në harmoni me nenin 38 paragrafi 2 të Ligjit për Pagat, i cili përjashton nga kompensimi detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga pozita e rregullt e zyrtarit publik, përfshirë pjesëmarrjen në komisione të brendshme.
Gjykatat ndërhyjnë në aktet nënligjore vetëm kur dispozitat janë qartësisht në kundërshtim me ligjin primar, kushtetutën apo kuptimin objektiv të normave të drejtësisë, dhe jo kur pretendimet mbeten të përgjithshme dhe pa argumentim juridik të qartë.
Në këtë kontekst, të paditurat kanë respektuar kufijtë e autorizimit ligjor, kanë interpretuar dhe zbatuar dispozitat e ligjit primar në përputhje me qëllimet e tyre, dhe kanë ndërtuar kritere objektive dhe proporcionale për kompensimin dhe shtesat në fushën e pagave në sektorin publik, pa krijuar trajtim diskriminues të paarsyeshëm. Prandaj, pretendimet e paditëses janë të pabazuara dhe refuzohen.