Refuzohet padia me të cilën paditësi ka kërkuar mbi 2 milionë euro nga Komuna e Prishtinës

Prishtinë | 14 Jan 2021 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Civil i Gjykatës Themelore në Prishtinë,  e ka refuzuar si të pabazuar padinë e paditësit Ukshin Menxhiqi më të cilën ka kërkuar mbi 2 milioë euro si dëmshpërblim nga Komuna e Prishtinës.

Fillimisht me padinë e ushtruar në vitin 2011, paditësi ka kërkuar kompensimin e dëmit në vlerë prej 400,000 euro, mirëpo më 1 tetor 2020, i njëjti përmes parashtresës ka bërë precizimin e kërkesëpadisë me anë të së cilës ka kërkuar nga gjykata që të aprovohet kërkesëpadia e paditëses “Bingo benz”  dhe të detyrohet Komuna e Prishtinës që asaj në emër të fitimit të humbur për periudhën 12 maj 2010 deri më 28 prill 2017, t’ia kompensoj shumën prej 2,367,225.00 euro, si dhe në emër të objektit të rrënuar shumën prej 75,757.00 euro dhe atë me kamatë ligjore, që nga data 12 maj 2010, raporton “BetimipërDrejtësi”.

Një shumë të tillë ai e ka kërkuar me pretendimin se kjo komunë në vitin 2010, në mënyrë të kundërligjshme ia kishte rrënuar objektin në Prishtinë, në të cilin ushtronte veprimtarinë biznesore, përkatësisht pompën e derivateve “Bingo benz”.

Me aktgjykimin e 28 dhjetorit 2020, gjykata e ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paditësit Menxhiqi, me anë të së cilës kishte kërkuar shumën e përgjithshme prej 2,442.982.00 euro, me kamat ligjore nga data 12 maj 2010.

Sipas arsyetimit të përshkruar në këtë aktgjykimi, refuzimi i kërkesëpadisë është bërë për shkak të mungesës së bazës juridike të së njëjtës.

Bazuar në këtë aktgjykim thuhet se në mes të palëve është zhvilluar një procedurë e brendshme administrative për lejen e ndërtimit e cila i ka paraprirë rrënimit të objektit e cila procedurë si pasoj ka pasur dy vendime të paditurës me të cilat është kërkaur rrënimi i objektit me arsyetimin se i njejti ka qenë i ndërtuar pa leje, vendime të cilat ishin anuluar nga MMPH.

Tutje, në këtë aktgjykim thuhet se vendimi i MMPH-së është anuluar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për çështje Administrative më datën 14 nëntor 2013, ku pas kësaj ka ardhur deri të rrënimi i objektit të paditësit, pasi që vendimi i të paditurës Komunës së Prishtinës nuk ishte anuluar dhe nuk ishte shpallur i kundërligjshëm.

Sipas këtij aktgjykimi, gjykata ka vlerësuar se në rastin konkret gjejnë zbatim dispozitat e Ligjit mbi Marrëdhëniet e Detyrimeve të vitit 1978, për të cilin thuhet se ka qenë në fuqi në momentin e krijimit të raportit juridiko-detyrimor, pasi që dëmi i pretenduar sipas kërkesëpadisë ka ndodhur në vitin 2010.

“Duke vlerësuar pretendimet e palëve, gjendjes faktike të vërtetuar më lartë dhe provave të administruara, gjykata ju ka referuar nenit 154 par. 1, të Ligjit mbi Detyrimet, sipas të cilit “kush i shkakton tjetrit dëmin, ka për detyrë ta kompensoj, në qoftë se nuk provon që dëmi ka lindur pa fajin e tij”, thuhet në aktgjykim.

Sipas këtij aktgjykim veprimi i të paditurës nuk është provuar se ka qenë veprim i kundërligjshëm e rrejdhimisht i shkaktuar me fajin e saj, për faktin që paditësja nuk ka arritur të argumentoj me prova se e paditura me rastin e rrënimit të objektit – pompës së drivateve ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu në bazë të këtij aktgjykimi gjykata e ka detyruar paditësin që Komunës së Prishtinës t’ia kompensoj shpenzimet e procedurës në shumën prej 1,690 euro, të cilën e ka bazuar në nenin 452.1 të LPK-së, pasi që pala paditëse thuhet se nuk ka pasur sukses në procedurë.

Ndryshe, lidhur me këtë rast, në seancën e shqyrtimit kryesor që ishte mbajtur më 24 nëntor 2020, ishte dorëzuar më shkrim fjala përfundimtare nga përfaqë suesi i paditësit avokati Selim Nikqi si dhe nga përfaqësuesi i të paditrës avokati Arbër Istrefi.

Në padinë e ushtruar më 22 korrik 2011, pala paditëse “Bingo Benz 2”, Sh.p.k, Prishtinë, me pronar Ukshin Menxhiqi, po kërkon nga e paditura, Komuna e Prishtinës, shpërblimin e dëmit që pretendon se i është shkaktuar me rastin e rrënimit të pompës së derivateve, në Prishtinë.

Sipas padisë, paditësi ka qenë pronar i objektit dhe qiramarrës  për 99 vjet i ngastrës kontestuese, e cila gjendet në Prishtinë, në të cilën kishte ndërtuar objektin dhe dy pompa të benzinës.

Në padi thuhet se ai fillimisht kishte pasur leje pune, e cila i ishte lëshuar nga Komuna e Prishtinës, më 22 janar 2009, ndërsa më 27 prill 2010, sipas padisë, e paditura e kishte shpallur jo valide lejen e punë së paditësit, vetëm me njoftim, e jo me vendim.

Gjithnjë sipas padisë, thuhet se paditësi kishte kërkuar leje për ushtrimin e veprimtarisë të regjistruar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për shitje me pakicë të karburanteve dhe lubrifikanteve, mirëpo që nuk kishte marr përgjigje nga e paditura brenda afatit ligjor.

Në padi thuhet se paditësit në mënyrë të paligjshme i është rrënuar objekti, në mënyrë të pakujdesshme dhe më 30 gusht 2010, me aktvendim Komuna e Prishtinës, e kishte urdhëruar paditësin të bëjë largimin e pompave dhe rezervuarve nga nëntoka, siç thuhet në padi, kinse janë të vendosura pa leje, dhe nuk kishte marr për bazë se paditësi kishte kërkuar leje dhe e paditura nuk kishte vendosur fare në lidhje me këtë kërkesë.

Mbi këtë bazë, paditësi po kërkon nga gjykata që ta obligojë të paditurën që atij t’i paguajë në emër të dëmit për rrënimin e objekteve, mallin e shkatërruar dhe fitimin e humbur. 

Të ngjashme