Refuzohet padia për shpifje e Morinës ndaj gazetarit Musliu e aktivistit Muqaj

Prishtinë | 15 Mar 2023 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar si të pabazuar kërkesë-padinë për shpifje dhe fyerje rreth figurës së Rrahman Morinës të paditëses Sevdije Morina kundër gazetarit Betim Musliu dhe aktivistit të shoqërisë civile Florent Muqaj.

Musliu dhe Muqaj janë paditur nga prokurorja në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Sevdije Morina, e cila pretendon se është fyer dhe shpifur, pasi që sipas saj të paditurit përmes mesazheve privat kanë përmendur Rrahman Morinën gjatë një mbledhje të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), e për çka kishte kërkuar 30 mijë euro kompensim dëmi. Por pasi padia është refuzuar, tanimë Sevije Morina është obliguar nga gjykata që të paguajë të paditurit, secilin ndaras, me nga 540 euro në emër të shpenzimeve të procedurës kontestimore.

Morina, prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, është kunata e Rrahman Morinës, ish-funksionarit të lartë komunist në kohën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Sipas aktgjykimit të gjykatëses Rrezarta Sylejmani-Voca, paditësja nuk ka arritur që me asnjë provë materiale të provojë faktin se të paditurit kanë publikuar ndonjë deklaratë me përmbajtje fyese ose shpifëse në raport me paditësen në ndonjë medium të shkruar apo elektronik, që do të kishte rrjedhojë dëmtimin e imazhit dhe të reputacionit të paditëses, ashtu siç ka pretenduar paditësja në padi.

Tutje në këtë aktgjykim, gjykata ka gjetur se “provat e paraqitur nga pala paditëse nuk kanë krijuar asnjë bazë besueshmërie në lidhje me saktësinë apo vërtetësinë e pretendimeve faktike”.

Sipas padisë së 5 majit 2015, paditësja Sevdije Morina, e cila në këtë lëndë përfaqësohej nga dy avokatet Albana Kelmendi dhe Merita Stublla, kishte kërkuar kompensim të dëmit material për fyerje në vlerë prej 30 mijë euro ndaj të paditurve Betim Musliu dhe Florent Muqaj.

Në padi thuhej se më 13 shkurt 2015, në takimin e 88-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, gjatë diskutimit rreth tërheqjes së pesë kandidatëve që kishin konkurruar për Kryeprokuror të Shtetit dhe vazhdimit apo jo të procedurës për nominimin e kandidatit të mbetur për Kryeprokuror të Shtetit, në momentin kur në mes të paditëses dhe të paditurit Muqaj, që të dy në atë kohë anëtarë të KPK-së, argumentohej pro dhe kundër vazhdimit të procesit me një kandidat, sipas padisë i padituri Musliu, prezent në sallë, përmes telefonit ia ka dërguar të paditurit Muqaj dy mesazhe me përmbajtje, siç thuhet, skajshmërisht fyese kundër paditëses dhe familjes së saj.

Në anën tjetër, i padituri Musliu, i cili përfaqësohej nga avokati Kujtim Kërveshi, në përgjigje në padi kishte propozuar që të refuzohet padia në mungesë të themelësisë.

Sipas tij, baza e vetme e padisë ishin dy mesazhet private për të cilat paditësja në kërkesëpadi pretendon se i padituri ia ka dërguar një anëtari të KPK-së.

Tutje, në këtë përgjigje thuhej se në rastin konkret, ashtu siç e ka argumentuar edhe paditësja në kërkesëpadi, nuk ka të bëjë me publikim të asnjë materiali nga i padituri dhe se i gjithë argumenti i paditëses është mesazhi i cili sipas saj ka qenë fyes./BetimipërDrejtësi

Të ngjashme