Propozimvendimi i kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka, për shfuqizimin e një vendimi të vitit 2005 të Kuvendit të Komunës nuk është miratuar nga shumica e anëtarëve të KK-së në seancën e fundit.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar kryetari Haskuka, i cili ka pohuar se vendimi i vitit 2005 u ka shkaktuar dëme të hyrave të Komunës së Prizrenit dhe ka përkujtuar se Zyra Kombëtare e Auditorit ka dhënë vërejtje për këtë vendimmarrje. Por reagimet e tij ndaj partive politike që i shfrytëzojnë lokalet e Komunës me qira mujore prej 1 eurosh janë kundërshtuar nga këshilltari i AAK-së, Ilir Baldedaj, shkruan sot Koha Ditore.
Përmes një komunikate, Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur se pas debateve të këshilltarëve në seancën e fundit të KK-së janë miratuar propozimet e të gjitha pikave të rendit të ditës, pos pikës së 9-të: “Shqyrtimi dhe miratimi i propozimvendimit për shfuqizimin e vendimit të KK të Prizrenit, nr. 01/01 l-4, të 29 dhjetorit 2005”. “Propozimi i kryetarit Haskuka, që partitë politike të paguajnë qiranë sipas vlerës së tregut, është refuzuar nga shumica e këshilltarëve”, shkruan në njoftimin e Komunës së Prizrenit.