Sheshi “Xhorxh Bush”: Komuna me kallëzim, drejtori i Inspektoratit ofron dorëheqje

Prishtinë | 08 Pri 2025 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Projekti për sheshin “Xhorxh Bush” qe i treti prej intervenimeve të mëdha në kryeqytet, për të cilin s’ka pajtim midis palëve. Për pasojë, Komunës i qenë ndalur punimet për projektin që peshon 18.4 milionë euro. Tash kryetari Përparim Rama ka nisur edhe betejë ligjore, shkruan Koha.

Publikimi i kallëzimit penal nga Komuna për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore dhe paraqitja e dorëheqjes nga drejtori i këtij institucioni janë zhvillimet e reja pas ndaljes së punimeve në sheshin “Xhorxh Bush”. Kallëzimi penal i Komunës së Prishtinës në bazë të praktikave të deritashme sa i përket zhvillimit të projekteve afër monumenteve, më shumë duket të jetë bërë për efekt publik sesa përmbajtjesor. E ofrimi i dorëheqjes së drejtorit të kryeinspektorit, Imer Hakaj, të paktën sipas tij, është bërë “për shkak të mosreagimit me kohë ndaj shkelësve të ligjit”. Komuna kishte nisur punimet pa marrë pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore siç përcakton Ligji për trashëgimi kulturore.

Ndalimi i punimeve të Komunës së Prishtinës në sheshin “Xhorxh Bush” ka bërë që komuna të aktivizohet kundrejt Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Publikimi i kallëzimit penal nga Komuna për Inspektoratin dhe paraqitja e dorëheqjes nga drejtori i këtij institucioni qenë zhvillimet e së hënës. Kallëzimi penal i Komunës së Prishtinës në bazë të praktikave të deritashme sa i përket zhvillimit të projekteve afër monumenteve, më shumë duket të jetë bërë për efekt publik sesa përmbajtjesor. E ofrimi i dorëheqjes së drejtorit të kryeinspektorit, Imer Hakaj, të paktën sipas tij, është bërë “për shkak të mosreagimit me kohë ndaj shkelësve të ligjit”.

“Kallëzim për veprime në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik”

Punimet në sheshin “Xhorxh Bush” ishin ndalur nga ITK-ja në muajin mars, për shkak se Komuna nuk kishte pajisur me pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore për të zhvilluar projekt në zonë ku gjenden katër monumente.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë publike një pjesë të kallëzimit penal të protokolluar të hënën. Këtë e ka bërë duke sqaruar se të gjitha projektet transformuese që kanë filluar në kryeqytet, janë bllokuar dhe ndaluar nga autoritetet e qeverisë qendrore.

“Gjatë mandatit tonë qeverisës, kemi kërkuar vazhdimisht mundësi bashkëpunimi për të punuar në interes të qytetarëve të Prishtinës. Megjithatë, përpjekjet tona, në vazhdimësi janë penguar nga strukturat qeveritare, të cilat për arsye politike dhe interesa të ngushta kanë bllokuar realizimin e projekteve jetike për qytetin, madje duke shkelur ligjin”, ka shkruar ai në rrjete sociale. Sipas tij, të ndodhur në këtë situatë, jemi detyruar të ndërmarrim hapa ligjorë të nevojshëm.

“Ekipi ligjor i Komunës së Prishtinës ka nisur procedura ndaj atyre që kanë kontribuuar në bllokimin e projekteve! Kemi iniciuar kallëzim penal ndaj inspektorit të Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, për veprime në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik”, ka shkruar ai. Ka shtuar se do të veprojnë me të njëjtën rrugë dhe vendosmëri ndaj çdo personi që guxon të shkelë ligjin dhe të cenojë të ardhmen e qytetarëve të Prishtinës. Kallëzimi është bërë për inspektorin Pajtim Zogaj.

“Qytetarët tanë meritojnë një qytet të zhvilluar, dhe ne do të luftojmë me çdo mjet që kemi në dispozicion për t’u siguruar atyre këtë të ardhme! Kryeqyteti po transformohet dhe nuk do të lejojmë ta bllokojë askush”, ka përfunduar Rama.

Komuna konteston statusin ligjor të Qendrës Historike

Në faqen e parë të kallëzimit – të vetmen të publikuar nga kryetari Rama – kontestohet ligjshmëria e të qenin nën mbrojte si aset i trashëgimisë kulturore Qendra Historike e Prishtinës. Aty përmendet se Ligji për trashëgimi kulturore përcakton se objektet e përfshira në Listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme duhet të jenë nën mbrojtje të përkohshme për një vit. Meqenëse Qendra Historike e Prishtinës është vendosur në Listë më 2020 dhe edhe është veç pjesë Listës së përkohshme e jo asaj të përhershme, sipas komunës, kjo paraqet shkelje. Në këtë përmendet edhe Këshilli i Kosovës për Trashëgim Kulturore, organ kolegjial që pas propozimit të institucioneve të Ministrisë së Kulturës, shqyrton asetet nëse kanë vlera për të marrë statusin e mbrojtjes së përhershme. Por Këshilli nuk vepron pa marrë propozime.

Projekti i Komunës së Prishtinës përfshin edhe hapësirat para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. E ky monument gëzon mbrojtje të përhershme. Dhe, Komuna ka nisur implementim të projektit që prek edhe këtë hapësirë pa pasur pëlqim që e obligon vetë Ligji të cilit i referohen disa herë në kallëzim.

Projekti për sheshin “Xhorxh Bush” qe i treti prej intervenimeve të mëdha në kryeqytet, për të cilin s’ka pajtim midis palëve. Për pasojë, Komunës i qenë ndalur punimet për projektin që peshon 18.4 milionë euro.

“Punimet kanë filluar gjatë vikendit, ku është bërë rrethimi i vendpunishtes. Në këtë hapësirë do të ndërtohet sheshi ‘Xhorxh Bush’. Hapësira ku po zhvillohen punimet gjendet brenda hapësirës së aseteve të Qendrës Historike të Prishtinës, hotelit ‘Grand’, Rektoratit dhe Radio Prishtinës. Për këto punime ende nuk është adresuar kërkesë për pajisje me leje në institucionet e trashëgimisë kulturore, ndërsa nga pala u njoftuam se janë pajisur nga Komuna e Prishtinës me pëlqim për lejimin e punimeve”, shkruhet në procesverbalin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore të nënshkruar më 12 mars nga inspektori Pajtim Zogaj.

Te masa e marrë qartësohet se është bërë ndalim i punimeve.

“Ndalohen punimet. Vendosen shiritat dhe shenjat zyrtare. Obligohet pala që të pajiset me leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore në afatin prej 30 ditësh”, shkruhet në Procesverbalin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.

Inspektori: Prokuroria do ta hedhë poshtë kallëzimin

Megjithëse zyrtarët komunalë kishin thënë se punimet do të vazhdojnë, ata kanë vepruar ndryshe. Pas pak ditësh kanë dorëzuar projektin voluminoz në institucionet e trashëgimisë kulturore.

Pas publikimit të Kallëzimit penal, inspektori i trashëgimisë kulturore, Pajtim Zogaj ka thënë se situata është krejt e thjeshtë.

“Ditën që i kemi ndalur punët, drejtori i Drejtorisë për Transformim, Gëzim Kastrati ka thënë se: ‘po na e bëni këtë për qëllime politike’. Vetë e kam udhëzuar që të bëjë kallëzim penal ndaj neve nëse mendon që po e keqpërdorim detyrën. E paskan bërë kallëzimin. Tash prokuroria ia hedh poshtë edhe bëhet e qartë që ne e kemi kryer punën mirë”, ka thënë ai./Koha/

Të ngjashme