“Lucid Dreaming” titullohet libri i Pamela Cohn, producentes dhe gazetares nga Los Angeles që ka bërë bashkë rrëfimet e 29 filmbërësve. Në mesin e tyre është edhe ai regjisores Kaltrina Krasniqi, e cila ka biseduar me autoren në lidhje me realizimin e dokumentarit “Sarabande”, produksion i vitit 2018. Në mesin e tematikave që prekën në bisedë janë e kaluara personale e kolektive dhe si ato ndikojnë në krijimtarinë artistike. Libri, i cili ka 320 faqe, mund të porositet online në ueb faqen e shtëpisë botuese “OR Books”. Aty tregohet se si i njëjti pas porosisë, do të jetë në duart e lexuesve në muajin shkurt.
Autorja e librit, Pamela Cohn, është një regjisore, producente, edukatore, gazetare dhe koordinatore e programeve të festivaleve. Ishte koordinatore edhe e programit “Muzika në Film” në edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të dokumentarit dhe filmit të shkurtër “DokuFest” në vitin 2016. Ky festival kishte shërbyer si pikëtakim për autoren dhe regjisoren kosovare.
Dokumentari “Sarabande” kishte zënë fill në vitin 2014, kur kitaristi Petrit Çeku kishte vendosur t’i incizonte në kitarë suitat për violonçel të Johann Sebastian Bachut, të aranzhuara për kitarë nga Valter Deshpali. Vetë artisti konsideroi që ky është një moment shumë i veçantë në karrierën e tij. Në mënyrë që të dokumentojë zhvillimin e tij në muzikë, regjisorja Kaltrina Krasniqi e kishte shoqëruar atë në Spanjë. Regjisorja e dokumentarit, që më 26 shkurt të vitit 2018 u dha premierë botërore në “ZagrebDox”, Çekun e njeh për më shumë se 11 vjet.
Artistët, rrëfimet e të cilëve shpalosen në librin “Lucid Dreaming”, janë nga vende e kultura të ndryshme. Përveç Kosovës, aty ka rrëfime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Finlanda, Serbia, Siria, Kina, Irani dhe Australia. Në mesin e tyre, përveç regjisores Kaltrina Krasniqi, ka profile dhe biseda me emra të njohur, si regjisori brazilian Karin Ainouz. “Madame Sata”, filmi i parë i gjatë artistik i tij, kishte premierën në vitin 2002 në Festivalin e Filmit në Cannes. Pastaj regjisori dhe fotografi amerikan, Khalik Allah, filmbërësja norvegjeze, Maja Borg, e artistët Ramona Diaz, Samira Elagoz, Sara Fattahi, Dónal Foreman, Ja’Tovia Gary, Ognjen Glavonic, Barbara Hammer, Sky Hopinka, Gürcan Keltek, Adam and Zack Khalil, Khavn e të tjerë.
Libri sipas përshkrimit në faqen e shtëpisë botuese “OR Books” është një koleksion i pashembullt i diskutimeve globale me filmbërës, duke i dhënë filmit dhe videos një vend meritor në mesin e botës së shkrimit, si një medium thelbësor për përcjelljen e shqetësimeve më urgjente në artin bashkëkohor dhe në politikë.
Regjisorja kosovare, Kaltrina Krasniqi, ka thënë se duke e njohur punën e Pamela Cohn dhe lidhjen e saj me filmin, ndihet shumë e privilegjuar që është përzgjedhur si bashkëbiseduese. Ajo ka treguar se biseda e tyre, e cila është pjesë e librit, është realizuar në fillim të vitit që lamë pas.
“Konsideroj se një libër i kësaj natyre vetëdijshëm krijon platformë dialogu për filmbërës, por edhe shijues të këtij arti globalisht dhe kjo në vetvete është shumë i pasur për lexuesit, por edhe vetë kontribuuesit”, ka thënë ajo. Ka treguar se biseda që shpaloset në libër është shumë intime dhe shqyrton edhe sesi e kaluara personale, por edhe kolektive ndikojnë në krijimtarinë artistike.