Rrjeti rajonal i organizatave të shoqërisë civile “PointPulse” dhe Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka organizuar konferencën rreth rolit të Kuvendit të Kosovës në mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës për të forcuar integritetin në këto institucione.
Rexhep Selimi deputet në Kuvendin e Kosovës, dhe anëtar i komisionin për Siguri, tha se në rolin mbikëqyrës të Policisë së Kosovës ka pasur sfida të mëdha.
Sipas tij, Rekomandimet e Kuvendit janë vështirë të zbatueshme në Policinë e Kosovës.
“Në rolin tonë mbikëqyrës pra të mbikëqyrjes parlamentare kemi pasur herë pas here grupe punuese për mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së ligjit. Në vazhdimësi kemi pas sfidën të mungesë së vullnetit të deputetëve për ta mbikëqyr madje as se kemi pasur shumë sfiduese përkrahjen e seancës plenare për t’i votuar rekomandimet, por hallka që ka qenë jo funksionale ka qenë momenti kur ka ardhur zbatimi i këtyre rekomandimeve. Këtë përvojë e kemi pasur në vazhdimësi”, tha ai.
Kapiten Brahim Sadriu, zyrtar përgjegjës për implementimi e planit të integritetit në Policinë e Kosovës tha se është formuar grup në kuadër të planit të integritetit dhe si i tillë funksionon që nga janari i këtij viti, raporton Ekonomia Online.
“Grupi për hartimin e planit të integritetit ka punuar disa muaj dhe me disa konsulenca ndërkombëtarë kemi hartuar një plan të integritetit i cili qe nga 1 janari i këtij viti është duke u zbatuar. Faktikisht plani është bërë bazuar në të gjeturat që ne kemi bërë bashkë me një ekspert ndërkombëtarë mbi fushat e cenueshme të integritetit në kuadër të policisë”.
“Janë përdorur dy metoda për realizimin e hulumtimit dhe në fund të dhënat janë përdorë për hartimin e planit. Tash me vendim të veçantë është formuar edhe grupi raportues ku secili departament edhe njësi në kuadër të se cilit ka aktivitete planin për fuqizim të integritetit është përgjegjës me raportuar për aktivitetet e drejtorisë përkatëse”, tha ai.
Fatmir Xhelili deputet në Kuvendin e Kosovës nga PDK, fjalën e tij e filloi me konstatim të raportit të komisionit Evropian për vlerësimin e Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës janë dy segmente të respektueshme dhe të cilat në bazë të matjeve dhe indikatorëve janë dy segmentet më të besueshme nga qytetarët e Kosovës. Janë struktura të cilat janë ndërtuar prej fillimit dhe kemi pasur fatin ndoshta që janë ndërtuar prej fillimit sepse shumë polici kur fillojnë problemet e brendshme dhe problemet e integritetit ato edhe kanë probleme shumë të mëdha në rivitalizimin e tyre”.
“U bënë disa vite që Policia e Kosovës funksionon, ka arritur rezultate të dukshme në shumë lëmi dhe mund të them qe është strukturë që është në gjendje të ofrojë siguri publike në territorin e Kosovës”.
“Normalisht që gjatë punës dalin edhe pengesa ka edhe çalime, ka edhe lëshime fatmirësisht janë raste të izoluara ose individ, raste që janë të vetmuara por është momenti i duhur me tentuar me marr hapat adekuat në parandalimin e përhapjes që të mos kaloj në një dukuri dhe besoj që detyra kryesore të menaxhuesve të këtyre strukturave është edhe kujdesi për vet strukturën”, tha ai.