Rekord: Biletat për “Eurovision 2026” shiten brenda minutash

Prishtinë | 13 Jan 2026 | 21:22 | Nga Ekonomia Online

Pothuajse të gjitha 90,000 biletat për Eurovision-in e këtij viti në Vienë u shiten brenda disa minutash, njoftuan organizatorët të martën.

Biletat për finalen e madhe u shiten brenda vetëm 14 minutash, ndërsa ato për të gjitha ngjarjet e tjera u shiten brenda një ore, tha Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU).

Janë planifikuar gjithsej nëntë ngjarje gjatë një jave, përfshirë edhe dy prova të përgjithshme para çdo transmetimi live. Çdo biletë e mbetur – për shembull, në rast se delegacionet e vendeve të caktuara nuk përdorin të gjitha biletat e tyre – do të vihet në shitje më vonë, sqaroi EBU.

“Reagimi ka qenë fenomenal,” tha drejtori i garës, Martin Green, në një deklaratë. “Të shohësh se çdo performancë u shiti kaq shpejt është një kujtesë e fuqishme për atë që përfaqëson Eurovision-i: gëzim, bashkëpunim dhe përvojë të përbashkët në një kohë kur kjo duket më e rëndësishme se kurrë.”

Ediçioni i 70-të i Eurovision-it ka qenë për muaj të tërë nën hijen e debatit për pjesëmarrjen e Izraelit, për shkak të fushatës së tij ushtarake dyvjeçare në Rripin e Gazës.

Shpallja e bojkotit u bë nga Spanja, Irlanda, Islanda, Holanda dhe Sllovenia, të cilat nuk do të marrin pjesë në shenjë proteste.

Në total do të marrin pjesë 35 vende. Në dy gjysmëfinale garojnë nga 15 vende secila, ndërsa orari i tyre u konfirmua të hënën. Mbrëmja e parë gjysmëfinale do të zhvillohet më 12 maj, ku për vend në finale do të konkurrojnë, ndër të tjera, këngët e Izraelit, Greqisë, Belgjikës, Suedisë dhe Kroacisë.

Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe vendi nikoçir kualifikohen automatikisht për finalen më 16 maj dhe nuk kanë nevojë të marrin pjesë në gjysmëfinale.

Të ngjashme