Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, sivjet shkeli një prej të drejtave më elementare njerëzore. E shkeli qëllimisht, sepse për 16 vjet nuk qe shkelur asnjëherë, nga asnjë rektor, nga asnjë ushtrues detyre i rektorit, as atëkohë kur vetë në Rektorat kishte detyrë tjetër nga ajo që ka sot. Por, kaq pat mundësi dhe kaq diti e bëri Marjan Dema për të interesuarit për studime në UP. Ai e shkeli të drejtën e informimit. Ai, edhe pse, kur u zgjodh rektor, kërkonte bashkëpunim me mediet, në kohën kur ky Universitet shpall konkursin për pranim të studentëve, nuk i njofton ata në medie të shkruara, as në ato elektronike, për vendet e lira që ka shpallur në fakultetet e këtij Universiteti. I mjaftoi Marjan Demës që sivjet publicitet fakulteteve e degëve të “Hasan Prishtinës” t’i bëjë vetëm në uebfaqen e Universitetit që udhëheq dhe të lëshojë komunikatë për medie, se tashmë konkursi për pranim të studentëve të rinj në UP është i shpallur nga dita e nesërme (nga e premtja e kaluar dhe zgjat deri në këtë të premte).
Na habiti një e papritur dhe një paradoks, pjellë të Marjanit, se kur diti të veprojë kësisoj, të komunikojë me publikun vetëm me uebfaqe të Universitetit, është dashur të kujtojë, ose edhe t’ia kujtojnë ata që i ka pranë edhe me zyrë, edhe me detyra (prorektorët), se në shumicën e fakulteteve të këtij Universiteti sot mësohen lëndët e menaxhimit, të marketingut, të advertajzingut, të medies, të mastermedies, të multimedies, të kulturës, të kulturës së komunikimit etj. Pra, “Hasan Prishtina”, ndër shumë lëndë e profesione të tjera, i mëson studentët e vet si të bëjnë marketing, si të bëhen menaxherë të medieve e menaxherë të suksesshëm të bizneseve, si të komunikojnë me publikun, me çfarë metoda, me çfarë mënyra, me çfarë medie e me rrjete sociale të komunikimit. Dhe këtë komunikim mund ta dinë shumë mirë studentët e UP-së, por aspak rektori i tyre, Marjan Dema, i deklaruar “shumë i dashur për studentët”, por më shumë i interesuar për t’i mbushur objektet e fakulteteve të UP-në me aplikues, nga të cilët e nga secili prej tyre siguron nga pesë euro për aplikim.
Por, a është e ndërgjegjshme, punë e pastër dhe njerëzore, që ky Universitet, ky Rektor, t’ua marrë atyre kandidatëve, të interesuar për studime në të, nga pesë euro pa shprehur respekt për të drejtën e tyre, për informimin publik, në medie, për programet e vendet e lira që ofron për ta?! Një di të them, nga ato që kam mësuar në këtë Universitet, se marketingu nuk e dobëson asnjë biznes, asnjë firmë, asnjë kolegj, asnjë universitet, asnjë autor të asnjë libri. Askënd. Marketingu, në këtë rast njoftimi i UP-së për kandidatët e interesuar për studime në të, ishte i obligueshëm dhe është i obligueshëm dhe duhet ta bëjë, nëse jo sot (e martë), patjetër nesër (e mërkurë). Njoftimi publik e medial do ta forconte UP-në sepse do ta shfaqte para publikut interesin e tij për informim të drejtë e korrekt. Në këtë kontekst, mund t’ju jap një rast të një kompanie të suksesshme botërore, pijet e së cilës i pimë për çdo ditë, edhe pse janë të dëmshme për shëndetin tonë sa herë që i pimë.
Kushdo që ka studiuar në UP, e që ka pasur ndonjë lëndë të ngjashme me marketingun, e që ka punuar edhe ndonjë punim seminari ose ka bërë ndonjë plan biznesi në ndonjë lëndë të këtillë mësimore, duke shfletuar literaturë në libra fizikë dhe elektronikë, edhe në “search engine” (“Google”), ka parë se firmat e suksesshme si, ta zëmë, “Coca Cola”, për të bërë qarkullim vjetor rreth 50 miliardë dollarë e siguruar nga këta rreth 8-9 miliardë fitim, shpenzon brenda vitit, vetëm për marketing, 3.2 miliardë dollarë. Ec e thuaj, e kush ka mend t’i thotë këtij gjiganti ekonomik se, meqë realizon të gjitha këto të hyra, bën marketing pa nevojë?! Mund t’i thotë ndonjë mendje sikur e Marjan Demës, i cili nuk e pa të arsyeshme që për mbi 15 000 studentët e Universitetit të Prishtinës që i kërkon sivjet, të bëjë publikim të konkursit për pranim të tyre në pesë faqe gazetë ditore, ose atë shpallje që ka shpallur në uebfaqe të Universitetit, ta publikojë edhe në medie elektronike, nëse jo në shumë prej tyre, në disa prej tyre, veçan në ato që kanë traditë të gjatë të botimit, në ato që vazhdojnë të botohen edhe në formatin fizik e që përcillen e ndiqen edhe në rrjetet sociale “Facebook”, “Twitter”, “Instagram” etj.
Këtij shembulli, të kompanisë private mjaft të suksesshme, të “Coca Colës”, mund t’ia bashkëngjisim për ilustrim edhe mijëra shembuj të universiteteve publike evropiane e të kolegjeve të mëdha, të ndryshme e me renome, po ashtu evropiane, edhe të këtyre të Kosovës, të cilat sot i hasim në akëcilën gazetë, seku në mediet elektronike. Pra, nuk duhet shpenzuar shumë energji për të vërtetuar se universitetet publike evropiane shpenzojnë para të shumta për marketing të programeve të veta. Madje shpenzojnë edhe më shumë sesa kolegjet private. Tekefundit, e kanë për obligim, siç e ka të obliguar me ligj edhe institucioni që udhëheq Marjan Dema, që konkurset për punë dhe për pranim të studentëve në UP t’i bëjë publike në medie e jo vetëm në uebfaqen e Universitetit. Ndërkaq, ftesat për tender, pra njoftimet e kontratave, njoftimet për dhënie të kontratave, njoftimet e anulimeve, të projekteve paraprake e njoftimet e tjera, UP-ja duhet të vazhdojë t’i publikojë në uebfaqen në të cilën obligohet me ligj që t’i shpallë, në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Prandaj duhet bërë me dije Rektorit, të cilit nuk po i funksionon mendja sa duhet e si duhet, se Universiteti që udhëheq, kandidatët e interesuar për studime në UP, duhet t’i informojë jo vetëm nëpërmjet lajmeve në medie e në uebfaqe të vetën, por edhe duke bërë njoftime në medie të shkruara siç bëjnë kolegjet private për programet e studimeve që ofrojnë.
Kështu që, Rektor, UP-ja duhet të informojë edhe publikisht (në formë të reklamimit me pagesë) sepse shpenzimet nuk shkurtohen duke mos i publikuar gjashtë faqe njoftim në gazeta, por duke ua shkëputur kontratat atyre profesorëve që i mbajnë nga dy-tri vende të punës, atyre të tjerëve që paguhen pa i mbajtur orët e ligjëratave, atyre të tjerëve që paguhen pa i mbajtur ushtrimet, atyre kryetarëve e anëtarëve të komisioneve të mbrojtjes së punimeve të mastereve e të doktoratave që paguhen pa i lexuar punimet e kandidatëve të masterit e të doktoratave e që plagjiatura shfaqet ndërkohë në fakultetet e UP-së e degradohemi për cilësi e bëhemi për marrëzi.
Ndër të tjera, ja pse Rektor duhet të informoni siç ka informuar ky Universitet që 16 vjet.
Një katundar i fshatit Abri, edhe një tjetër i fshatit Gjurgjevik, me të cilët komunikoj në “Facebook”, më pyetën para disa ditësh, siç më pyetën edhe sot (ditë e hënë), nëse UP-ja ka hapur konkurs pranues për studentë. Ende pa e shpallur konkursin kështu siç e shpallët, u thashë përcillni gazetat, se publikimet UP-ja domosdoshmërisht i shpall në ndonjërën prej tyre. Ndërkohë, pas pak ditësh, kur morën lajmin në gazeta se UP-ja ka shpallur konkursin për studentë të rinj, nuk panë në asnjërën gazetë të përditshme njoftimet e UP-së për fakultetet që do të pranojnë studentë, as për departamentet e tyre, as për numrin e studentëve që do të pranojnë, as se çfarë duhet të lexojnë që të përgatiten për provim pranues.
Rektor, ata dy njerëz që më pyetën janë nxënës të shkëlqyeshëm, por në fshatrat ku jetojnë ende nuk kanë qasje në internet. E kur jemi këtu, me çfarë cilësie të teknologjisë së informacionit mund të më mburreni në UP, që i konsideroni kaq të arrira e të mira shërbimet e këtij Universiteti, edhe kaq të vizituar uebfaqen e këtij Universiteti, së cilës nuk do që t’ia përmend emrin shkaku se nuk i respektoni lexuesit e medieve e studentët e ardhshëm të UP-së.
Rektor, sigurisht e dini se njoftimet online mund edhe të “përmirësohen” sa hap e mbyllë sytë, se mund të manipulohet lehtë njoftimi në uebfaqe nga administratori i uebfaqes, me lejen tuaj, se po ai, po me lejen tuaj, mund ta shtojë numrin e studentëve për pranim në fakultete e vende-vende të shkurtojë. Prandaj, mos i jepni kaq të drejtë vetes në krye të “Hasanit” kur nuk keni të drejtë dhe nuk jua lejon askush këtë të drejtë. Po ashtu, mos luani me ndjenja të qytetarëve e familjarëve të të interesuarve për studime në UP që presin kohë të gjatë e me shumë interesim për këtë regjistrim. Rektor, kryejeni detyrën me nder.
Rektor, sigurisht e dini që gazetaria e shkruar, në raste të këtilla të publikimeve, të njoftimeve të konkurseve pranuese në fakultet, ka përparësi ndaj të gjitha medieve, sepse e bardha zezohet. Që ta keni më të qartë, është si ky tekst i botuar sot në këtë numër të gazetës fizike, i cili mund të mos gjendet pas disa vjetësh në uebfaqen e saj www.epokaere.com, por edhe pas 100 vjetësh mund të gjendet aty ku arkivohen pesë kopjet e saj për çdo ditë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Dmth., mediet e shkruara, pos që jua përcjellin, edhe jua ruajnë historikun që bëni ju si udhëheqës, edhe punën, edhe dëmtimet, edhe dështimet, edhe të mirat, edhe të këqijat. Dhe nëse pas dhjetë vjetësh s’jam unë që t’jua bëj këtë pyetje, kush është ai që do të përgjigjet në këtë pyetje: Sa studentë regjistruat në vitin 2016? Kësaj pyetje kushdo do të mund t’i përgjigjej duke gjetur arkivin e gazetës së shtypur e parë shpalljen e konkursit të “Hasanit” në të.
Rektor, nëse mendoni se me mospublikim të konkursit në medie UP-së ia reduktoni 2 000 euro, buxhetit të këtij Universiteti duhet t’i rrini gati po sikur buxhetit familjar. E, në ditët e muajt e ardhshëm, do të shohim se sa jeni dorështrënguar dhe se sa jeni dashamirës i studentëve dhe lexues i medieve të shkruara dhe elektronike.
Rektor, t’jua kujtoj edhe një herë, e keni obligim ligjor që njoftimet për konkurse t’i publikoni në gazeta. Nëse ka sekretar ai institucion që udhëhiqni, duhet t’jua bëjë të qartë këtë gjë që s’e bëtë që disa ditë e që, po patët e ndjetë përgjegjësi në punë e në informim, duhet ta shpallni siç e shpalli sot për nesër Universiteti i Prizrenit në mediet e shkruara e siç e ka shpallur edhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Së fundmi, edhe këtë pyetje i nderuar Rektor Marjan Dema: A ka logjikë që “Ukshin Hoti” të shpallë konkurs në medie të shkruara për pranim të studentëve, e “Hasan Prishtina”, i cili i ka furnizuar sivëllezërit me profesorë e studentë, të mos e bëjë të njëjtën gjë?!
Nëse s’jepni përgjigje sot (e martë), shpalleni në medie të shkruara këtë konkurs nesër (e mërkurë)!
Gjitha të mirat, Rektor!