Me rastin e festës së Kurban Bajramit, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema uron të gjithë qytetarët e besimit islam.
Veçanërisht, në këtë ditë të rëndësishme për pjesëtarët e këtij besimi, Dema uron studentët, stafin akademik dhe administrativ të UP-së, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Urimi i plotë:
Të dashur studentë, personel i Universitetit të Prishtinës dhe gjithë ju qytetarë të besimit islam,
Ju uroj nga zemra, Gëzuar Kurban Bajramin! Gëzojeni këtë ditë bashkë me të dashurit tuaj, me mirëkuptim, harmoni dhe shtrirje të dorës së solidaritetit ndërmjet njerëzve.
Festa e Bajramit është reflektim i marrëdhënieve të secilit individ me Zotin. Kjo ditë e madhe, le të shërbejë si një mundësi që gjithashtu të gjithë ne të reflektojmë për punën dhe angazhimet tona, për obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, ndaj familjes, miqve dhe shoqërisë.
Me këtë rast, dëshiroj që kjo festë të gjejë mbarë popullin shqiptar të bashkuar, të vendosur dhe të përkushtuar për zgjidhjen e të gjitha sfidave me të cilat ballafaqohemi në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes dhe zhvillimit të Kosovës.