Sot në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren ishte për vizitë Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert me bashkëpunëtor. Fillimisht ai u takua me Rektorin e UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj dhe stafin tjetër menaxhues. Rektori Vataj e njoftoi ambasadorin me gjendjen aktuale në UPZ, ku theksoi të arriturat që janë bërë dhe planet për të ardhmen.
Rektori Vataj duke qenë një kuadër që ka kryer doktoraturën në Francë foli për mikpritjen dhe përkrahjen e shtetit Francez. Ambasadori Chabert e falënderoi Rektorin Vataj për pritjen e ngrohtë. Në ndërkohë ambasadori Chabert ka mbajtur një ligjëratë rreth Kontributit të Francës në hapjen ndërkombëtare të Kosovës. Në ligjëratën e tij ambasadori theksoi se Franca ka qenë e rreshtuar në krah të zgjidhjes së çështjes së Kosovës që nga vitet e ’90-ta, ka mbështetur intervenimin e NATO-së për ndaljen e agresionit serb mbi shqiptarët e Kosovës, ka investuar në rindërtimin e vendit pas luftës, ka qenë pro shpalljes së pavarësisë dhe është vendi i dytë që e ka njohur shtetin e Kosovës dhe se e mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Në pjesën fundit të kësaj ligjëratë studentët e UPZ-së janë njoftuar për mundësitë e studimit në universitet franceze.